Maqedoni

Nuhiu kërkon dorëheqjen e Çavkovit, grup pune për zbardhjen e ngjarjeve në Kuvend

03.05.2017 17:16

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu, akuzon një pjesë të strukturave të MPB-së se i kanë shkaktuar dëm të madh vendit dhe vlerave demokratike....

Për rikthimin e besimit tek qytetarët pas ngjarjeve në Kuvend të enjten e kaluar, Nuhiu ka vendosur të pastrojë radhët e MPB-së pikërisht nga ata që penguan intervenimin në kohë të policisë më 27 prill.
 
“Kthim prapa nuk ka! Gjërat duhet zbardhur deri në fund dhe secili do të përgjigjet për veprimet e veta! Në Qeveri kam parashtruar kërkesë për shkarkimin e Mitko Çavkov nga funksioni i drejtorit të Byrosë për Siguri Publike. Kam emëruar koordinator të Shtabit Operativ z. Goran Savovskin, këshilltar shtetëror në Byronë për Siguri Publike”,- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu.
 
Nuhiu ka formuar tashmë grupin e punës që do të hetojë punën e strukturave gjatë ditës së dhunës në Kuvend, e më pas do të dorëzojë një raport të hollësishëm për të vërtetuar përgjegjësitë individuale. 
 
“Kam formuar një grup punues të përbërë nga profesionistë në MPB, i cili ka për detyrë ta vërtetojë a kanë vepruar në pajtim me procedurat e përcaktuara Shtabi Operativ dhe njësitë organizative në MPB, a janë bërë lëshime gjatë punës, tejkalime të kompetencave ose moskryerja e detyrave dhe obligimeve?”,- tha ministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu.
 
Nuhiu fton të punësuarit në Ministrinë e Brendshme që të kryejnë profesionalisht detyrat e tyre dhe nëse kanë çfarëdolloj materiali që do të ndihmonte hetimin e përgjegjësisë së individëve të caktuar, t’ia dorëzojnë anëtarëve të grupit të brendshëm hetimor. 
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU