BE

BE: “Tërmet” i Euro-Skeptikëve

26.05.2014 14:02

Pas zgjedhjeve për parlamentin evropian, “Exit poll”-et e para tregojnë se votuesit i kanë dhënë përkrahje më të madhe ekstremistëve dhe partive anti-union........

Pas zgjedhjeve për parlamentin evropian, “Exit poll”-et e para tregojnë se votuesit i kanë dhënë përkrahje më të madhe ekstremistëve dhe partive anti-union. Në Francë partia e ekstremit të djathtë e Marine Le Pen është më popullorja në vend.

Kryeministri francez, Manuel Valls, dha për këtë situatë përcaktimin ndoshta më të goditur: fitoren e euroskeptikëve dhe në përgjithësi të partive të ekstremit të djathtë. Ai e quajti “një tërmet të vërtetë politik”, e kjo sipas tij, duhet të fusë në mendime të gjithë idhtarët e vazhdimit të funksionimit të BE-së.

“Ndodhemi përballë një momenti tepër serioz për Francën dhe për mbarë Evropën. Po dëshmojmë një krizë të thellë besimi e një zemërim që buron edhe nga vetë mbështetësit e projektit evropian. Për vite me radhë Evropa është konsideruar shumë e largët e shumë e huaj kundrejt shqetësimeve tona të përditshme. Evropa ka zhgënjyer dhe ky është fakt”, - deklaroi kryeministri i Francës, Manuel Valls.

Rezultatet paraprake edhe në Britani tregojnë për fitore të  euroskeptikëvë të  UKIP-it, një parti kundër BE-së dhe anti-emigraciot.

Nga 64 vende të deklaruara prej 73 që Anglia ka në Parlamentin Evropian, UKIP ka fituar 23, duke u vendosur përpara laburistëve të opozitës dhe përpara konservatorëve të kryeministrit Cameron.

Në Itali kryeson Mateo Renzi i qendrës së majtë.

Angela Merkel triumfoi sërish në Gjermani, Unioni i saj Kristian siguroi 35% të votave, por AFD-ja, që kërkon fundin e Euros, pati një shtysë të fuqishme me 7%, ndërsa mediat britanike shkruajnë se ka shenja për zgjedhjen e mundshme të një kandidati neo-nazist të NPD-së, hera e parë kjo në dekada të tëra që ekstremi i djathtë fiton terren në vend.

Në Greqi rezultatet e pjesshme nuk lënë vend për dyshime: e para vjen Syriza e ekstremit të majtë me 26% të votave, pas saj “Demokracia e Re” e kryeministrit Antonis Samaras me 23% dhe me 9 përqindëshin e tij “Agimi i Artë” do të marrë tre deputet.

Parlamenti me 751 vende është trupi i vetëm i zgjedhur me votë popullore në Bashkimin Evropian 28 anëtarësh.

Pavarësisht dallgës së baticës së euroskeptikëve, partitë e mëdha pro-BE do të vazhdojnë të mbeten grupi qendror në Parlament.

PPE-ja parashikohet të sigurojë 211 vende, të cilat janë vërtet më pak se 274 që kishte deri tani, por konsiderohen të mjaftueshme për t’u shfaqur në vazhdimësi si blloku kryesor i legjislaturës evropiane. (Adnan Hajdari, TVM2)