Botë
Takohen Rama e Basha, nuk ka marrëveshje mes palëve
03.05.2017 17:58
Takimi me dyer të mbyllura dhe larg medias mes dy liderëve të politikës shqiptare, kryeministrit, Edi Rama...

Takimi me dyer të mbyllura dhe larg medias mes dy liderëve të politikës shqiptare, kryeministrit, Edi Rama, dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha, në tryezën e përbashkët, thirrur nga presidenti i Republikës, zgjati mbi tre orë.
Në fund të tij, nga presidenca nuk doli as tym i bardhë e as i zi. Marrëveshje pra nuk ka. Për këtë takim u lejua vetëm një mundësi e shkurtër për foto dhe pamje filmike, dhe gjatë kësaj kohe nuk pati asnjë shtrëngim duarsh, madje Rama e Basha kanë shmangur përgjatë kohës së filmimeve çdo shikim mes njëri-tjetrit.
Por, buzëqeshjet e shkëmbyera me presidentin e Republikës nuk kanë munguar dhe kreu i shtetit edhe përgjatë këtyre minutave ka luajtur rolin e negociatorit, duke biseduar herë me njërin e herë me tjetrin.
I pari që ka lënë zyrën e presidentit Nishani ka qenë kryeministri, Edi Rama, i cili ka kaluar në këmbë pranë çadrës së opozitës, duke i përshëndetur protestuesit, gjë që ka nxitur reagimin e tyre. Lulzim Basha është larguar nga Presidenca rreth 50 minuta më pas, për të zhvilluar menjëherë një takim me aleatët.
