Maqedoni
VMRO akuzon Policinë: Po arrestoni të pafajshëm, do të përgjigjeni
03.05.2017 18:19
VMRO akuzon Policinë se po arreston njerëz të pafajshëm të cilët po i paraburgos pa pasur asnjë provë konkrete...

Nga VMRO thonë se Policia po hakmerret ndaj popullit, madje akuzon ministrin e Brendshëm se punon në kundërshtim me ligjin. VMRO rikujton organet e drejtësisë se ligji duhet të vlejë njësoj për të gjithë.
“Është e papranueshme që policia të arrestojë njerëz të cilët nuk kanë kryer asnjë krim, të lëshojë fletarreste, madje edhe t’i thërrasë në biseda për delikt verbal. Ministri i Brendshëm, Nuhiu, nuk mund të ushtrojë presion mbi të punësuarit në kundërshtim me procedurat dhe ligjet, që të keqtrajtojë dhe të arrestojë njerëz të pafajshëm, sepse të gjithë, madje edhe një person zyrtar që shkel ligjin duhet të përgjigjet për veprimet e tyre. Ligji vlen për të gjithë, është e papranueshme institucionet të kenë standarde të dyfishta, dikujt pa prova t’i shpiken vepra penale, ndërsa gjatë kohës së të ashtuquajturit “Revolucionit Laraman” të paguar, kur Policia u sulmua, as për së afërmi nuk u veprua me të njëjtat kritere”,- tha Dragan Danev nga VMRO.
VMRO akuzon LSDM-në si nxitëse të revoltës së qytetarëve me pranimin e asaj që VMRO e quan “Platforma e Tiranës” dhe paralajmëron se herët a vonë LSDM do të përballet me qytetarët në zgjedhje.
GAZMEND KURTISHI
