Ukrainë: Poroshenko shpall fitoren
Me 56 deri në 58% të votave të llogaritura si të fituara prej tij, kundrejt vetëm 13 për qind të siguruar nga rivalja Yulia Timoshenko, ish-ministri i Jashtëm i Ukrainës, Petro Poroshenko, duket se do të jetë presidenti i ri i vendit.........
Me 56 deri në 58% të votave të llogaritura si të fituara prej tij, kundrejt vetëm 13 për qind të siguruar nga rivalja Yulia Timoshenko, ish-ministri i Jashtëm i Ukrainës, Petro Poroshenko, duket se do të jetë presidenti i ri i vendit.
Poroshenko shpalli fitoren, duke shtuar se prioriteti i tij kryesor do të jetë fundi i konfliktit në lindje të Ukrainës dhe ndërtimi i marrëdhënieve më të ngushta me BE-në. Poroshenko falënderoi sidomos zgjedhësit që për të hedhur votën e tyre udhëtuan që nga Krimeja e kontrolluar nga rusët.
“Pa asnjë përjashtim, të gjitha ‘exit poll’-et, qoftë të realizuara nga kompani kombëtare, qoftë nga ato të huaja, tregojnë me dallime shumë të vogla të njëjtën gjë: vendi ka një president të ri. Ne do të hedhim hapa të vendosur përpara, për të rikthyer stabilitetin e për t’i dhënë jetë elementeve kryesore të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Evropian”, deklaroi kandidati presidencial, Petro Poroshenko.
Kunderkandidatja Timoshenko pranoi humbjen, duke falënderuar ata që votuan për të.
“Më së pari dua të përgëzoj të gjithë Ukrainën që pavarësisht agresionit të jashtëm, pavarësisht përpjekjeve të Kremlinit për t’i dëmtuar zgjedhjet, zhvilloi votime të ndershme e demokratike. Jam e bindur se vendi ka tani një rrugë të qartë përpara vetes, sepse nuk do të na duhet të zgjedhim mes Bashkimit Evropian e Bashkimit Doganor; nuk do të na duhet të zgjedhim mes të shkuarës dhe të ardhmes”, theksoi kandidatja presidenciale, Julia Timoshenko.
Vëzhguesit kritikuan zyrtarët e zgjedhjeve për radhët e gjata në disa qendra votimi deri vonë mbrëmë, për të cilat faji iu vu masave të dobëta organizative.
Si pasojë e radhëve të tilla, u rrit koeficienti i gabimit në llogaritje, por duket se kjo nuk do të ndikojë në rezultat. Pjesëmarrja në votime ishte e konsiderueshme në një pjesë të mirë të vendit, duke kapërcyer 50% në shumë zona.
Por, në dy rajonet lindore, Donjeck dhe Luhansk, dhjetëra qendra votimi nuk u hapën dhe të tjerat regjistruan pjesëmarrje të ulët. Monitoruesit thonë se votuesit dhe punonjësit e zgjedhjeve u frikësuan prej separatistëve, megjithatë, përveç problemeve në lindje, pjesa tjetër e vendit shënoi një proces përgjithësisht të rregullt e të qetë. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)