Maqedoni
Alispahiq: ekspertët mjekoligjorë tentojnë t’i ndihmojnë Boban Iliqit
04.05.2017 16:07
Në Gjyqin Themelor të Kumanovës ka vazhduar seanca gjyqësore për rastin e Almirit...

Para trupit gjykues u dëgjuan ekspertët mjekoligjorë, Branisllav Stefanovski dhe Zoja Babin Kosotova, të punësuar në spitalin neuropsikiatrik në Shkup.
Mirëpo avokati mbrojtës i familjes Aliu, Asmir Alispahiq, tha se të dy mjekët përpiqen që në mënyrë selektive, sikurse edhe në seancën e kaluar, t’i ndihmojnë të akuzuarit, Boban Iliq.
“Drejtpërsëdrejti lëshohen në komentimin që u është i panjohur, kurse kjo është në pjesën e ekzistimit apo mosekzistimit të paramendimit për kryerjen e veprës penale. D.m.th. është përpjekje direkte që në mënyrë selektive, duke mos u marrë parasysh të gjitha deklaratat të cilat janë kyçe, sikurse edhe procesverbalet për vërtetimin profesional të mendimit dhe ekspertizës mjekoligjore”,- tha avokati mbrojtës, Asmir Alispahiq.
Asmir Alispahiq, edhe njëherë para gazetarëve tha se Boban Iliq duhet të dënohet me dënim maksimal, respektivisht burg të përjetshëm.
“Unë nuk dëshiroj që askujt t’i ndodhë një gjë e këtillë. Kjo ngjarje penale medoemos duhet të sanksionohet me dënim maksimal, burg të përjetshëm, sepse nëse lejojmë që kjo të kalojë pa dënim maksimal, atëherë secili mundet në mënyra të ndryshme të kryejë vepra të ngjashme e në fund të mos sanksionohet”,- theksoi avokati mbrojtës, Asmir Alispahiq.
Seanca e radhës e rastit të Almirit është caktuar për më 25 maj.
NEXHAT AQIFI
