Maqedoni
Incidentet në Kuvend, lirohet i dyshuari për terrorizimin e Selës
04.05.2017 16:27
Prokuroria e ka lënë të lirë të arrestuarin Toni Trajkovski, njërin nga katër personat që dyshohet se kanë terrorizuar deputetin, Ziadin Sela...

Arrestimi i tij është bërë mbrëmë, në hyrje të një restoranti në Kumanovë, pasi pjesëtarët e Sektorit të Punëve të Brendshme po e kërkonin prej dy ditësh, meqë ishte identifikuar si njëri nga katër personat që kanë marrë pjesë në terrorin e 27 prillit në Kuvend, ku u keqtrajtua barbarisht lideri i LR-PDSh-së, Ziadin Sela.
Po ashtu njoftohet se Policia i ka identifikuar edhe tre nga katër personat që shihen në një video të publikuar derisa e tërhiqnin deputetin Sela.
Por, Trajkovski, i cili është edhe këshilltar i VMRO-DPMNE-së në Këshillin e Kumanovës, është lënë i lirë me arsyetimin se nuk e ka sulmuar kreun e LR-PDSh-së, Zijadin Selën, por e ka tërhequr nga turma e dhunshme.
Lidhur me incidentet e 27 prillit në Kuvend, Gjykata Themelore Shkupi 1 vendosi që t’ia japë masën e paraburgimit një personi të arrestuar, ndërsa për dy të tjerë u përcaktua masë kujdesi. Këto masa u propozuan nga ana e Prokurorisë Publike, të cilat u pranuan nga Gjykata.
Në kumtesë theksohet se Gjykata Themelore Shkup 1 – Shkup mori vendim me të cilin për një person Gjykata Themelore e pranoi propozimin e Prokurorisë Publike dhe i përcaktoi masë paraburgimi në kohëzgjatje prej 8 ditësh, për të cilin ekziston dyshimi se ka kryer vepër penale “Pjesëmarrje në turme që do të kryejë vepër penale”, sipas nenit 385 të Kodit Penal, dhe vepër penale “shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm”, sipas nenit 288 të Kodit Penal.
Për dy personat e tjerë për të cilët ekziston dyshim se kanë kryer vepër penale “pjesëmarrje në masë që do të kryejë vepër penale”, sipas nenit 385 të Kodit Penal, Gjykata e pranoi propozimin e Prokurorisë Publike dhe u përcaktoi masë kujdesi. Dy persona janë lënë të lirë pasi Prokuroria ka vlerësuar se nuk ka dëshmi të mjaftueshme se kanë kryer vepër penale.
SPB - Shkup në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike Shkup, deri më tani ka parashtruar kallëzime penale për 20 persona të identifikuar si pjesëmarrës në trazirat në Parlament, por 9 prej tyre ndodhen në arrati.
Por, nga e ashtuquajturës Nismë për Maqedoni të Përbashkët, përkrahësit e të cilëve u futën me dhunë në Kuvend, kanë protestuar para Prokurorisë Themelore, duke kundërshtuar arrestimin e atyre që dhunuan deputetët, gazetarët dhe të punësuarit në Kuvend, si dhe demoluan ndërtesën e Kuvendit.
Sipas organizatorëve të kësaj proteste, ata nuk duhet të arrestohen pasi mendohet se janë patriotë.
ERSAN PAJAZITI
