Maqedoni
Xhaferi për vizitë në Bruksel, rikonfirmohet mbështetja për kryeparlamentarin
04.05.2017 16:48
Brukseli zyrtar rikonfirmon mbështetjen për kryeparlamentarin, Talat Xhaferi, i cili ka realizuar vizitën e parë zyrtare jashtë vendit, pikërisht në kryeqendrën europiane...

Pas takimit me eurokomisarin Han, kryetari i Kuvendit, Xhaferi, deklaroi se i është dhënë shtytje të vazhdojë me përmbushjen e obligimeve që dalin nga ky funksion.
“Gjithsesi se nuk ka kurrfarë dileme në Bashkimin Europian për shumicën e reflektuar me zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit në Kuvendin e Maqedonisë dhe kjo është shtytje për të vazhduar me punët dhe obligimet që ka Parlamenti, që të mund të implementojë të gjitha programet dhe përcaktimet që burojnë nga Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit të RM-së”,- tha Xhaferi.
Kuvendi duhet të punojë pa pengesa dhe të gjithë deputetët, përfshirë edhe opozitën, duhet të jenë konstruktivë dhe të mos bëjnë obstruksione, ka thënë Han në takimin me Xhaferin.
“Kuvendi duhet të jetë forum ku debatohet për sfidat serioze me të cilat përballet vendi dhe të sigurohet garanci për ecje përpara, në interes të të gjithë qytetarëve dhe bashkësive”,- thuhet në njoftimin e lëshuar nga kabineti i Han pas takimit.
Han po ashtu ka përsëritur dënimin e ashpër për sulmin e paramenduar ndaj deputetëve dhe gazetarëve. Përsëritja e një akti të tillë seriozisht e cenon perspektivën europiane të Maqedonisë, ka thënë Han.
Kryeparlamentari Xhaferi në Bruksel ka takuar edhe përfaqësuesen e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerinin, kryetarin e Parlamentit Europian, Antonio Tajani, si dhe eurodeputetët, Ivo Vajgëll, Eduard Kukan dhe Knut Flenkeshtajn.
Por, derisa zgjedhja e Xhaferit është përshëndetur nga BE-ja, ShBA-të, NATO-ja dhe të gjitha vendet perëndimore, zgjedhja e tij ende nuk është publikuar në Gazetën Zyrtare.
Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë sot konfirmoi se është parashtruar kërkesë për shpallje të vendimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por, siç njoftohet, do të publikohet në fillim të javës së ardhshme në numrin e parë të Gazetës Zyrtare.
GAZMEND KURTISHI
