Maqedoni

Xhaferi njofton presidentin për shumicën e re. Zaevi, i gatshëm ta takojë Ivanovin

04.05.2017 17:35

Kabineti i kryetarit të Kuvendit njoftoi presidentin e Shtetit, Gjorgje Ivanov, se është formuar shumica parlamentare dhe është zgjedhur kryetar i Kuvendit...

Xhaferi pret që presidenti i Shtetit, Gjorgje Ivanov, të veprojë sipas Kushtetutës dhe të ndajë mandatin brenda afatit. 
 
“Ivanov e ka obligim që në afat prej 10 ditëve të reflektojë dhe të japë mandat, nëse nuk e bën, edhe pse unë mendoj se do të reflektojë në këtë drejtim, Parlamenti ka kompetencë ekskluzive për çështje të vendosjes së zgjedhjes së Qeverisë së ardhshme dhe në këtë kontekst kompetenca e Parlamentit dhe kryetarit të Parlamentit nuk varet nga asnjë institucion tjetër”,-  theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Edhe kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, pret që Ivanov ta ndajë mandatin brenda afatit kushtetues dhe se zgjedhja e Qeverisë duhet të ndodhë një ditë e më parë. Ai tregoi gatishmëri që së bashku me partnerët e koalicionit t’i përgjigjet ftesës së Ivanovit për ta bindur se angazhimi i Qeverisë së re do të jetë në harmoni me Kushtetutën.    
 
“Unë edhe një herë e mora pajtimin edhe nga z. Ahmeti edhe nga z. Zela, në ndërkohë do ta takoj edhe z. Bilallin, që liderët e partive, pas të cilëve qëndrojnë 67 nënshkrime, të tregojnë gatishmëri që ta takojmë z. Ivanovin në kabinetin e tij, në emrin tonë të konfirmojë gjithçka që kushtimisht ishin shqetësimi i tij, apo shkas për dilemë. Ta ndihmojmë Ivanovin që të ketë arsye për ta dhënë mandatin”,- theksoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev. Këto komente Zaevi i bëri pasi vizitoi kreun e LR-PDSh-së, Ziadin Sela, në Spitalin e Tetovës.   
 
Porosi për presidentin Ivanov kishte edhe nga eurokomisioneri, Johanes Han.
 
“Pas zgjedhjes së kryeparlamentarit, përqendrimi duhet të vendoset në hapat e ardhshëm në procesin e formimit të qeverisë duke e respektuar shumicën parlamentare dhe duke u sjellë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe parimet demokratike”,- ka deklaruar Han.
 
Neni 90 i Kushtetutës së RM-së thotë se presidenti i Republikës e ka për detyrë që në afat prej dhjetë ditëve, nga dita e konstituimit të Kuvendit, mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Kuvend. 
 
SHPËTIM NUREDINI