Maqedoni
Plump: mirëpres zgjedhjen e një qeverie reformatore; Ademi: doemos të ndiqet kursi europian; Mexhiti: vazhdojmë luftën për Maqedoni europiane; Sela: hapa konkretë për integrim në BE dhe NATO
04.05.2017 18:20
Kriza me migrantët, lufta kundër terrorizmit dhe ekonomia janë sfidat kryesore me të cilat ballafaqohet Bashkimi Europian...

Kriza me migrantët, lufta kundër terrorizmit dhe ekonomia janë sfidat kryesore me të cilat ballafaqohet Bashkimi Europian, por të cilat mund të tejkalohen me bashkëpunim të mirëfilltë ndërshtetërorë.
Këtë e tha ambasadori i Holandës, Vauter Plomp, gjatë aktivitetit "Ditët e Europës", të organizuar nga Komuna e Çairit dhe Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare. Sipas tij, Ballkani Perëndimor është pjesë e kontinentit europian dhe si i tillë duhet të jetë pjesë e BE-së, prandaj pret që bashkëpunimi me qeverinë e re të Maqedonisë të çojë vendin drejt NATO-s dhe BE-së.
“Ajo që nevojitet në nivelin e BE-së është të ndërtojmë ura mes shteteve dhe mes komuniteteve, mirëpo kjo duhet bërë edhe brenda vetë vendeve që janë në pyetje. Në rastin e Maqedonisë, dua të përshëndes zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri, tani mirëpres që një qeveri e re reformuese të zgjidhet dhe ashtu siç thanë zyrtarë të lartë të BE-së, të gjithë mirëpresim të bashkëpunojmë me një qeveri të re reformuese në rrugën para”,- theksoi ambasadori i Holandës, Vauter Plomp.
Zëvendëskryeministri për çështje europiane, Arbër Ademi, është i bindur se Maqedonia ka perspektivë europiane dhe më një qeveri të re reformuese kjo perspektivë do të bëhet realitet.
“Reformat doemos duhet të realizohen, projektet që janë në interes të qytetarëve doemos duhen të realizohen, kapacitetet e administratës tonë doemos duhet të përmirësohen, kriza politike përfundimisht duhet të zgjidhet, institucionet demokratike të funksionojnë dhe sigurisht se procesi eurointegrues i vendit doemos duhet të ndiqet. Alternativë tjetër nuk kemi”,- u shpreh zëvendëskryeministri, Arbër Ademi.
Organizatorët e aktivitetit "Ditët e Europës", kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, dhe drejtori i Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare, Ylber Sela, thonë se këto ditë shënohen për të ngritur vetëdijen e aktorëve politikë, institucionalë, por edhe të qytetarëve mbi vlerat dhe benifitet që merr Maqedonia nga BE.
“Të gjitha këto përparësi kualitative, inovative, le të jenë shtytje për të gjithë, që të vazhdojmë fuqishëm me të gjitha përmbushjen e të gjitha kritereve integruese. Le t’i thirrmi ndërgjegjes për të mirën e gjeneratave të reja të cilave kemi për detyrë t’ua zgjerojmë horizontin e perspektivës. Lufta jonë me mjete demokratike për një Maqedoni europiane do të vazhdojë”,- u shpreh kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
“Ne normalisht që inkurajojmë politikbërësit në Maqedoni, të cilët do të kontribuojnë që të vazhdojë situata dhe të krijohet qeveria e re reformuese, ku të gjithë qytetarët mezi presin të shohin qeverinë e ardhshme, e cila do të marrë hapa shumë të rëndësishëm që vendi të integrohet në strukturat euroatlantike”,- tha drejtori i ISPN-së, Ylber Sela.
Aktivitetet në “Ditën e Europës” në Maqedoni janë tradicionale.
SANIJE DURAKU