Botë
Kina Veriore, ndotja e ajrit në përmasa alarmante
04.05.2017 19:42
Veriu i Kinës, ku përfshihet edhe Pekini, është duke u përballur me ndotje të nivelit shumë të lartë të ajrit...

Veriu i Kinës, ku përfshihet edhe Pekini, është duke u përballur me ndotje të nivelit shumë të lartë të ajrit, si pasojë e një stuhie të fuqishme të rërës e cila përfshiu këtë pjesë.
Edhe pse ky vend njihet me nivel të lartë të ndotjes së ajrit, atë e thellon më shumë kjo situatë tanimë e krijuar. Banorët janë këshilluar të shmangin aktivitetet jashtë shtëpisë dhe fëmijët e të moshuarit të qëndrojnë brenda. Rëra vjen nga Mongolia fqinje.
“Është më e keqe se sa smogu në dimër. Kur merr frymë të duket sikur po thith rërë”,- theksoi studentja, Zhang Liuliu.
“Unë punoj në mjekësi dhe e di se si duhet vepruar, ndaj i thashë nënës dhe fëmijëve të mos dalin në rrugë. Sa për vete, them se nuk do ta bëj shëtitjen e përditshme në darkë. E pëson fyti im. Dje kur ra shi, ishte me rërë, ndaj situata mu duk mjaft serioze”,- deklaroi punonjësi mjekësor, He Chao.
Sipas Agjencisë kineze të Mjedisit, në 11.00 me orën lokale matësit e ndotjes tregonin se niveli i grimcave të imta toksike PM2.5
ishte 500 microgramë për metër kub, ndërkohë që ai maksimal i sigurisë së parashikuar nga OBSH-ja duhet të jetë 25 mikrogramë për metër kub.
Autoritetet paralajmërojnë se dukshmëria në kryeqytet do të mbetet e ulët përgjatë gjithë ditës. Dhjetëra fluturime kanë pasur vonesa deri tani, ose janë anuluar krejtësisht.
LEUNORA KALIQI
