Trump pas fitores: Obamacare ishte një katastrofë, tani vdiq!

05.05.2017 12:53

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përshëndetur miratimin e projektligjit....

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përshëndetur miratimin e projektligjit që shfuqizon pjesë të të ashtuquajturit “Obamacare”, duke e zëvendësuar atë me një plan republikan mbi kujdesin shëndetësor.

“Obamacare ishte një katastrofë, tani vdiq”,- brohoriti Donald Trump, pasi Dhoma e Përfaqësuesve në Kongres miratoi projektligjin me 217 vota pro dhe 213 kundër.

“Është një plan i madh dhe jemi të sigurtë që do të kalojë në Senat”,- tha presidenti amerikan, i cili u takua në “Kopshtin e Trëndafilave” në Shtëpinë e Bardhë me të gjithë deputetët republikanë.

Ai përgëzoi në veçanti kreun e Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, i cili demonstroi aftësinë e tij për të bashkuar grupin e ndarë të republikanëve pas dy përpjekjeve të dështuara këtë vit për të siguruar konsensusin mbi legjislacionin e kujdesit shëndetësor.

Plani republikan, i njohur zyrtarisht si Akti amerikan për Kujdes Shëndetësor, synon të shfuqizojë shumicën e taksave të “Obamacare”, përfshi penalitetin për mosblerjen e sigurimeve shëndetësore.