Maqedoni

Ademi: jemi në prag të humnerës, koha për veprim

05.05.2017 15:28

Zëvendëskryeministri, Arbër Ademi, thotë se vendi gjendet në skaj të humnerës dhe porosit të gjithë politikanët...

Zëvendëskryeministri, Arbër Ademi, thotë se vendi gjendet në skaj të humnerës dhe porosit të gjithë politikanët të ndërmarrin veprime të drejta për të ruajtur ardhmërinë e vendit.
 
Ademi ishte i qartë se edhe përkundër të gjitha ngjarjeve, Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përveç BE-së.
 
"Republika e Maqedonisë, 9 Majin - Ditën e Europës, për herë të parë e feston në rrethana të tilla të rënda të krizës politike, dhe kur për herë të parë pas 20 vitesh përparim është në skaj të humnerës, gjegjësisht në rrezik që të pësojë regres në procesin e eurointegrimeve. Prandaj nuk ka alternativë tjetër, tani është koha për vendime dhe vepra të drejta, dhe se me qëllim që ta ruajmë ardhmërinë tonë dhe të gjeneratave tona të ardhshme”,- tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Arbër Ademi.
 
Josip Jurik nga delegacioni i BE-së thekson se Maqedonia nuk duhet të dekurajohet nga problemet aktuale të BE-së, por kjo periudhë duhet të shikohet si në një mundësi pragmatike për hapa të guximshëm.
 
“Pritet të ketë perspektivë të qartë për anëtarësimin në BE. Megjithatë, për atë është e nevojshme implementimi i një vizioni i cili sheh jashtë interesave personale”,- theksoi përfaqësuesi i delegacionit të BE-së, Josip Jurik.
 
Ekspertët vlerësojnë se Maqedonia duhet të lërë pas situatën kaotike në të cilën gjendet e të shohë drejt ardhmërisë europiane.
 
“Duhet të dalim nga labirinti, ku fjala e dialogu u zëvendësuan me forcë, dhe ta tejkalojmë gjithë këtë”,- u shpreh kryetarja e Lëvizjes Europiane të Maqedonisë, Milleva Gurovska.
 
Të tre panelistët iu drejtuan studentëve që morën pjesë në garat e oratorisë, të organizuara nga Lëvizja Europiane, Fakulteti Juridik, Fondacioni “Konrad Adenauer” dhe Delegacioni i BE-së në Maqedoni.
 
GYLTENE SINANI