Dhuna në Kuvend, Komiteti i Helsinkit: U kryen 27 vepra penale
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut doli me raport të veçantë...

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut doli me raport të veçantë për kryerësit e identifikuar dhe veprat penale të kryera gjatë dhunës në Kuvend më 27 prill. Autorët e këtyre veprave janë ndarë në katër grupe: organizatorët, kryerësit e veprimit, shërbimet e policisë dhe eprorët e tyre.
Nga 27 veprat penale sa përmban raporti, për 17 tashmë ekzistojnë dëshmi të rëndësishme, për 10 vepra penale ekziston dyshim se janë kryer. Veprat penale dalin nga 8 kapituj të Kodit Penal.
“Ky raport i veçantë ka të bëjë me veprat penale të identifikuara përmes fotografive, materialeve audio-vizuele dhe dëshmive, si dhe të veprave penale për të cilat ekzistojnë dyshime, por akoma nuk është hulumtuar se janë kryer dhe nga kush. Raporti ka të bëjë me shkeljen e të drejtave dhe lirive të garantuara me Kushtetutë dhe të sanksionuar me Kodin Penal”,- thuhet në raport.
Nga Komiteti i Helsinkit thonë se raporti është bërë për të informuar opinionin, por në të njëjtën kohë edhe si mjet i cili mund t’u shërbejë organeve gjyqësore gjatë marrjes së vendimeve të lidhura me kualifikimin e veprave penale dhe individualizimin e përgjegjësisë penale gjatë shqiptimit të dënimeve nga ana e Gjykatës. (Ersan Pajaziti, TVM2)
