Maqedoni
Personat me nevoja të veçanta kërkojnë barabarësi, përballen me pengesa
05.05.2017 17:00
Personat me nevoja të posaçme vazhdojnë të përballen me vështirësi të shumta...

Shumë institucione nuk mendojnë se si këta persona të kenë qasje më të lehtë në secilën zyrë, universitetet nuk mendojnë se ka studentë që kanë nevojë për ashensorë apo platformë të posaçme për të lëvizur brenda kampuseve studentore, punësimi është një sfidë më vete.
“Duhet të kemi rrugica për karrocat nëpër të gjithë rrugët, në secilën shkollë të ketë ashensor. Mundohem të sillem si të gjithë të tjerët, por e kam të vështirë nëpër rrugët tona, sepse më shfaqen kudo pengesa, kjo është e vështirë”,- deklaroi studenti, Bojan Naumovski.
“Kemi problem për qasje nëpër objektet. Në secilin objekt duhet përveç shkallëve të ketë edhe rrugë-hyrëse për karrocat”,- u shpreh një student.
“Në fushatën e kaluar kishim sloganin “Hyrje në Katin e Dytë”, vetë slogani tregon që këta persona kanë qasje të kufizuar vetëm në katin e parë nëpër institucionet publike. Ata kanë problem edhe me qasje në arsim të lartë, edhe pse kanë mundësi pa pagesë për arsim të lartë, kanë problem për punësim etj”,- theksoi Meri Tërpeska nga Shoqata e Studentëve dhe të Rinjve me Handikap.
Problemet e tyre ata i shpalosën në konferencën kombëtare "Avancimi i mekanizmit për pengimin dhe mbrojtjen e diskriminimit të personave me nevoja të veçanta”.
Këta persona nuk janë të informuar për të drejtat e tyre dhe për këtë qëllim në katër qytete tashmë janë vendosur katër pika informuese që kjo kategori të mësojë mundësitë të cilat mund t’i shfrytëzojnë, me qëllim që të jenë më të përfaqësuar në rrethin shoqëror.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
