Maqedoni

Lëvizja BESA – OSBE: të kthehet qetësia dhe vlerat demokratike

05.05.2017 17:17

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, është optimist për formimin sa më të shpejtë të qeverisë që do të sigurojë stabilitet në shtet...

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, është optimist për formimin sa më të shpejtë të qeverisë që do të sigurojë stabilitet në shtet dhe perspektivë të Maqedonisë ndaj NATO-s dhe BE-së.
 
“Shumica parlamentare pas zgjedhjes së kryetarit të ri kuvendor i ka ndërmarrë hapat e ardhshëm konform Rregullores, Kushtetutës dhe ligjeve në procesin për formimin e qeverisë së re reformuese. Presim që Gjorge Ivanov të veprojë konform detyrimeve kushtetuese dhe ta japë mandatin”,- theksoi Zaev gjatë takimit me ambasadorin e ShBA-së, Xhes Bejli.
 
Në takim u dënua dhuna në Parlament dhe u konstatuar se të gjitha subjektet politike duhet të jenë në nivel të përgjegjësisë dhe të mundësojnë transfer të qetë të pushtetit dhe mbrojtjes së interesave qytetare dhe shtetërore.
 
Edhe BDI është optimiste se Qeveria e re reformatore do të formohet shumë shpejt. Në takimin me përfaqësuesin special të kryesuesit të OSBE-së, ambasadorin Kristian Strohal, dhe ambasadoren e OSBE-së në Maqedoni, Nina Soumalainen, lideri i BDI-së, Ahmeti, theksoi prioritetet e qeverisë së re.
 
“Qeveria reformuese do të formohet shumë shpejt, kryeparlamentari Xhaferi po bën punën e tij për ta lehtësuar dhe përshpejtuar këtë proces. Prioritet e qeverisë së re janë reformat në gjyqësor, integrimi euroatlantik, Marrëveshja e Ohrit, marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore, si dhe hapja e vendeve të reja të punës”,- është shprehur Ahmeti.
 
Për mundësinë e normalizimit të gjendjes është folur dhe në takimin midis deputetëve të Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimit dhe Fadil Zendelit, me këshilltarin e kryesuesit aktual të OSBE-së, Christian Strohal.
 
Deputetët e BESËS shprehën gatishmërinë të kontribuojnë për kthimin e rendit, qetësisë dhe të vlerave demokratike në vend.
 
MERAL ISMAILI