Botë
Fëmijët refugjatë në Ballkan, UNICEF: 25 mijë minorenë, peng i burokracive
05.05.2017 17:26
Në shtetet ballkanike e ato të Europës Juglindore qëndrojnë rreth 75.000 refugjatë dhe migrantë pa asnjë perspektivë të qartë për të ardhmen...

Gati 25.000 prej tyre janë minorenë. UNICEF kërkon rikthimin e vëmendjes tek refugjatët e mitur, të bllokuar në vendet e Ballkanit Perëndimor, që presin bashkimin me të afërmit e tyre.
Megjithëse e kanë të drejtën legjitime të bashkohen me familjet e tyre në vendet e Europës Perëndimore, si Gjermania apo Suedia, shumica nuk e dinë nëse do t’iu lejohet udhëtimi e kur mund të ndodhë kjo.
“Vonesat shkaktojnë trauma, e kjo duhet shmangur”,- thonë nga UNICEF.
“Procesi i bashkimit familjar zvarritet kaq shumë dhe pasiguria është kaq e madhe, saqë tek fëmijët kjo shkakton dëme emocionale dhe frikë. Vitin që shkoi u paraqiten 5000 kërkesa për bashkim familjar në Greqi, 700 prej tyre nga minorenë të pashoqëruar ose të mitur të ndarë nga familjet”,- theksoi drejtoresha e UNICEF-it për Europën Qëndroje dhe Lindore, Afshan Khan.
Në shume raste janë meshkujt që e kanë ndërmarrë udhëtimin drejt Europës, ndërkohë që familja duhet t’i bashkohej më vonë.
Me mbylljen e kufijve në 2016-tën dhe hyrjes në fuqi të Marrëveshjes BE-Turqi, shumë familjarë kanë mbetur të ngujuar në vendet transit, e ky proces mund të zgjasë deri në 2 vjet.
GAZMEND REXHEPI
