Maqedoni

Shënohet 5 Maji - Dita e Dëshmorëve, pllakë përkujtimore për “Komandant Sllupçanin”

05.05.2017 18:09

Me rastin e 5 Majit - Ditës së Dëshmorëve, tek kompleksi memorial në fshatin Haraçinë, në praninë e familjarëve, bashkëluftëtarëve e qytetarëve tjerë të shumtë...

Me rastin e 5 Majit - Ditës së Dëshmorëve, tek kompleksi memorial në fshatin Haraçinë, në praninë e familjarëve, bashkëluftëtarëve e qytetarëve tjerë të shumtë, u shpalos pllaka përkujtimore e dëshmorit të kombit, Beqir Sadiku – Komandant Sllupçani, luftëtar i tri luftërave të fundit.
 
Me këtë rast u evokuuan kujtime për veprën heroike të Komandant Sllupçanit.
 
“E dimë ne shokët e tij për veprat e tij prej luftës në Kosovë, në Preshevë dhe këtu. 22 Qershori ka qenë një humbje e madhe për UÇK-në kur ra Beqir Sadiku, nuk kam fjalë më shumë, veprat e tij dhe shokët e dinë kush ka qenë Beqa”,- deklaroi bashkëluftëtari, Xhevat Tanusha.
 
“Të gjitha brigadat dhe të gjitha degët e ShVL-së dhe LPK-së do të ecin dhe nderojnë dëshmorët e atdheut dhe të mos mërziten nëse nuk kanë lule me vete, sepse lule u ka sjellë pranvera, e kjo pranverë është e tyre, ne ecim duke bërë nga dy hapa përpara, duke i menduar ata, por duke kryer amanetin e dëshmorëve të atdheut”,- theksoi kryetari i ShVL-UÇK-së, Fazli Veliu.
 
Më pas u bënë homazhe edhe tek varrezat e dëshmorëve në Haraçinë, me ç’rast fjalë rasti mbajtën Fatmir Limani dhe kryetari i Komunës së Haraçinës, Brahim Ajvazi.
 
“Sot shënojmë ditën e bijve dhe bijave tu, të nderuar ushtarë dhe të plagosur të lirisë, shumë të respektuar bijë të dëshmorëve të atdheut, e fillojmë këtë ditë në këtë vend të rëndësishëm në Shkupin, në kryeqendrën e të gjithë shqiptarëve”,- tha Fatmir Limani nga ShVL-UÇK.
 
“Sot nderojmë dëshmorët, nderojmë kombin, nderojmë gjakun e tyre të atdheut. Një popull që duhet të ngrihet e rritet duke i nderuar dëshmorët, vetëm ashtu mund të rritet”,- deklaroi kryetari i Komunës së Haraçinës, Brahim Ajvazi.
 
Sot, nga Kumanova e deri në Strugë, me rastin e 5 Majit - Ditës së dëshmorëve, u bënë homazhe tek varrezat e dëshmorëve të rënë në luftëra të ndryshme.
 
NEXHAT AQIFI