Stuhia, qytetarët llogarisin dëmet
TVM-2 sot në teren e filmoi gjendjen faktike. Dëmet e mëdha ishin më të shumta në lagjen Gazi Babë të Shkupit, në Serovë dhe në Lisiçen e Re.............
Udhëkryqe të përmbytura, makina të mbetura në mes të rrugës, rrugë të shndërruara në lumenj, shtëpi, kompani, shkolla, spitale dhe bodrume të mbushura plotë me ujë dhe pemë tërësisht të shkulura prej toke, ky është bilanci i motit të keq që mbrëmë e kaploi Maqedoninë, në veçanti Shkupin dhe rrethinën. Reshjet e dendura të shiut dhe breshrit, mbrëmë për vetëm pak minuta çrregulluan jetën e përditshme të qytetarëve.
TVM-2 sot në teren e filmoi gjendjen faktike. Dëmet e mëdha ishin më të shumta në lagjen Gazi Babë të Shkupit, në Serovë dhe në Lisiçen e Re.
Abdil Ademi dhe Sebahat Beazi thonë se është e dyta herë që shtëpia e tyre përmbytet nga uji. Asgjë nuk ka mbetur pa u lagur. Mobiliet, dyshemeja, tavanet, rrobat, teknika e bardhë, gjithçka që mezi e kanë siguruar, u prish për 30 minuta të vetme. Si ata kanë pësuar edhe fqinjët e tyre.
“Fëmijët dhe familjen i nxjerra prej rrethojës sipër. Një shoku im më ndihmoi, sepse nuk mundesha ta hap as derën e oborrit, sepse uji ishte shumë lartë, vështirë shpëtuam”, - u shpreh Abdil Ademi, banor i lagjes Gazi Babë.
“Unë kam një teze të sëmurë që nuk lëviz dhe nuk mbaj mend si atë e kemi shpëtuar. Fqinjët erdhën dhe na ndihmuan. Uji vinte prej gjithandej, prej bulevardit, prej fqinjëve, u mbush oborri deri në mes. E hapëm kanalizimin, mirëpo edhe prej aty dilte ujë. Për një moment u ndërprenë edhe dritat, atëherë u frikësova shumë. Nuk e di, jeni duke e parë vetë, mobiliet para një viti i blemë, rrobat po ashtu janë të shkatërruara. Jemi shumë keq”, - tha Sebahat Beazi, gjithashtu banor i lagjes Gazi Babë.
”Oborri ishte i stërmbushur me ujë sa që mundej lirisht të notohet në të, uji ishte rreth 60, 70 centimetra. U çuditëm, u habitëm, dyert e shtëpisë u hapën prej lagështisë, sinqerisht ishte tmerr”, - theksoi Nuko Letiniq, po ashtu banor i Gazi Babës.
Nga vërshimet e djeshme janë kapluar edhe disa klasa shkollore në gjimnazin “Josi Broz Tito”, ndërsa semaforët mbrëmë deri vonë nuk kanë punuar në pikat kritike, siç është nënkalimi i shtëpisë së mallrave “MOST”, “Bit Pazar”, hoteli “Kontinental”, “MTV” dhe mbikalimi në Crniçe.
Sipas Entit Hidrometeorologjik, sonte pritet edhe një stuhi e re në qytetin e Shkupit. Institucionet kompetente apelojnë deri te qytetarët që të mos dalin jashtë, të mos i përdorin makinat e tyre dhe të jenë të gatshëm për çdo situatë të mundshme. (Rexhep Qamili, TVM2)