PËRMBYTJET-DËMET

Shkup, dëmtohen arat me shalqi

26.05.2014 16:27

Të dëmtuarit theksojnë se këtë tokë ata e punojnë me qira për katër vite me radhë.....

Fushat e mbjella me shalqi në lagjen Lisiçe e re të Shkupit, që punohen nga familja Murseli dhe Murati nga Luboteni, janë dëmtuar tërësisht nga persona të panjohur. Të dëmtuarit theksojnë se këtë tokë ata e punojnë me qira për katër vite me radhë.

Edhe pse nuk dihet kush ka dëmtuar pronat e tyre, ata dyshojnë se ky akt vandal është pasojë e asaj që ndodhi ditë më parë në lagjen Gjorçe Petrov.

“Na e kishin prishë e kishin pre me thikë e me dorë e kishin shkulë, çka kishin deshtë kishin bë. E lajmëruam policinë. Erdhi policia e pa edhe për sot kanë me ardh me incizu sa dëm kemi edhe me e bë një vlerësim. Katër vjet që kemi punu këtu, s’ka pas probleme asnjëherë. Si u bë në Gjorçe kjo, na kanë dëmtu, shumë dëm të madh na kanë bë, najlonin e kanë pre, bostanin e kanë shkul, dëm të madh kemi. Na e kanë marrë kafshatën e bukës për një mot-mot çka kemi punu, kemi dhënë para, dëm kemi afër 20 mijë euro, dëm që mu ka bë në bostan”, - deklaroi Ferat Murati.

“Afër një hektarë e kusur ka dëm, dëmin e kanë bë deri në 20 mijë euro, prej kësaj kemi prit, tjetër si sivjet s’mund ta mbjellim, tash ata rrënjë që kanë qenë, 3000 rrënjë e diçka janë prish krejt, kanë mbet shumë pak. Ne mendojmë se këta të Lisiçës edhe të Draçevës, a saktë me e dit  se dimë kush e ka prish. Ndonjë ndihmë prej juve, prej shtetit nëse mundet , tjetër s’di çka me than“, - u shpreh Ramadan Murseli.

Ministria e Punëve të Brendshme konfirmoi rastin duke theksuar  se ekipet punuese janë në teren për të konstatuar dëmet e shkaktuara nga sulmuesit vandal. Nga MPB-ja nuk duan të spekulojnë rreth arsyeve që sollën deri te dëmtimi i këtyre fushave, por po punojnë për zbulimin e fajtorëve. (Zejxhane Osmani, TVM2)