Maqedoni

Analistët: Kriza po tejkalohet falë ndërkombëtarëve

06.05.2017 18:13

Presioni i komunitetit ndërkombëtarë ndaj Maqedonisë për dalje nga kriza dha efektet e saj vlerësojnë analistët Selim Ibrahimi dhe Nano Ruzhin...

Analisti Ibrahimi thotë se në periudhën që vjen Maqedonia do të jetë e monitoruar nga perëndimi për zhvillimin e proceseve politike dhe kthimin e vlerave demokratike në vend.
 
“Vizita e fundit e Talat Xhaferit në Bruksel I ka dhënë rezultatet në teren dhe formimi I qeverisë së re do të varet nga shumica e re parlamentare dhe faktor kyç këtu është dhënia e mandatit nga presidenti Iva nov. Presioni ndërkombëtarë ka dhënë rezultatet në teren dhe siç duket ndërhyrja amerikane rezultoi me qetësim të situatës dhe kanalizmin e proceseve në rrugë demokratike. Menaxhimi I krizës nga BE tani do të duhet të jetë më i efektshëm dhe ti monitorojë proceset e reformave në Maqedoni”, tha Selim Ibrahimi, analist politik.
 
Edhe profesori universitar Nano Ruzhin thotë se Maqedonia do të mbetet interes i ndërkomëbatrëve për realizimin e Marrëveshjes së Përzhinës, kthimin e institucioneve demokratike dhe zbardhjen e proceseve gjyqësore bashkë me dhunën e fundit në kuvend.
 
“Është e kuptueshme që komuniteti ndërkombëtarë i cili ka investuar shumë në Maqedoni do të vazhdojë me monitorim se si do të shkojnë punët, a funksionojnë ato elemente të konstatuara në Marrëveshjen e Përzhinës, të dënohen fajtorët por jo edhe ata që mendojnë ndryshe. Nuk duhet të na përsëritet ajo që deri më tani e përjetuam të kemi populizëm, nënçmime, burgosje politike e kështu me rradhë. Pres që përgjegjësit për vepra të caktuara kriminale qofshin financiare apo të dhunës së 27 prillit në kuvend të përgjigjen para drejtësisë”, tha Nano Ruzhin, profesor universitar.
 
Sipas analistëve sulmi ndaj deputetëve dhe gazetarëve në kuvend do të zbardhet në institucionet ndëshkuese, qeveria reformatore do të formohet brenda dy javëve që Maqedonia të kthehet në vend me perspektivë pro BE dhe NATO-s.
 
MERALE ISMAILI