Maqedoni
Shkupi pastron rrugët dhe kanalizimet
26.05.2014 17:47
Qyteti i Shkupit me sukses tejkaloi mbrëmë fatkeqësinë elementare...

Qyteti i Shkupit me sukses tejkaloi mbrëmë fatkeqësinë elementare. Nëse eventualisht paraqitet stuhi e tillë, Komunat dhe ndërmarrjet janë të përgatitura, nuk ka vend për panik. Trupi koordinues i kryetarëve të Komunave shqyrtuan gjendjen pas stuhisë së mbrëmshme dhe nxorën rekomandimet e nevojshme për reshjet që paralajmërohen.
“Jemi dakorduar që secila prej Komunave të formojë shtabin e saj për fatkeqësi elementare. Edhe me ndërmarrjet publike kishim mbledhje dhe në terren po pastrohen te gjitha shaktet dhe gypat ku janë paraqitur probleme. Pompat e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim janë të përgatitura të tejkalojnë gjendjen me vërshimet”, deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
Komunat më të dëmtuara janë: ajo e Gazi Babës, Qendrës dhe Aerodromit. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të mos hedhin gjëra që pengojnë kanalizimet fekale, që të mos përballemi me fenomenin që ndodhi mbrëmë kur ujërat e zeza vërshuan në rrugë.
“Dua t’iu bëj thirrje qytetarëve që në kanalizime të mos hedhin gjëra të palejueshme, siç janë: kabllo, mbulesa që do të pengonin funksionimin e kanalizimeve fekale. Veç më po bëhen analiza se cilat janë pikat kritike të kanalizimeve fekale, që më lehtë të rrjedh uji i grumbulluar”, shtoi Trajanovski.
Në numrat për paraqitjen e dëmeve janë lajmëruar 90 qytetarë, të cilët tashmë janë kontaktuar për dhënien e ndihmës.
FLUTURA LATIFI
