Macron - presidenti më i ri në historinë e Francës, mposhti Le Pen
08.05.2017 12:06
Emanuel Macron është presidenti i ri i Francës, pas një fitoreje të thellë prej 66 për qind..

Emanuel Macron është presidenti i ri i Francës, pas një fitoreje të thellë prej 66 për qind, kundrejt 34 për qind të votave që mori rivalja e tij, Marine Le Pen. Macron do të bëhet presidenti i parë jashtë dy partive kryesore tradicionale që nga themelimi i republikës moderne në 1958.
Presidenti i sapozgjedhur iu drejtua në mesnatë mbështetësve të tij para muzeut të Luvrit, duke premtuar se do t’i shërbejë vendit të tij me përulësi, forcë e dashuri.
“Unë do të bëj gjithçka që mundem gjatë pesë viteve të ardhshme, në mënyrë që askush të mos ketë më arsye përsëri për të votuar për ekstremistët. Do ta mbroj Francën dhe Europën. Do të bëj gjithçka për të fuqizuar Europën dhe popujt që e përbëjnë atë. Detyra jonë është e madhe, është që ne të ndërtojmë një shumicë të vërtetë, një shumicë të fuqishme për të kryer ato ndryshime që meriton vendi”,- tha Macron.
Ndërkaq liderja e Frontit Kombëtar, Marine Le Pen, pranoi humbjen dhe i uroi fitoren rivalit të saj në garë, Emmanuel Macron. Ajo tha para mbështetësve të saj se francezët zgjodhën vazhdimësinë. Pas rezultatit të zgjedhjeve, dhjetëra protestues kanë dalë në rrugët e Parisit kundër Macron president. Policia franceze ka përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit.
