Kosovë, Demarkacioni sot para deputetëve, opozita thërret në protestë
Qeveria e Kosovës sot edhe zyrtarisht do ta procedojë për në Kuvend marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi....

Qeveria e Kosovës sot edhe zyrtarisht do ta procedojë për në Kuvend marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.
Kërkesa e kryeministrit Mustafa ka bërë që opozita edhe një herë të mobilizohet si nga brenda Kuvendit ashtu edhe jashtë tij. Partitë opozitare kanë konfirmuar se për sot kanë thirrur protestë qytetare për ta kundërshtuar këtë marrëveshje.
Nga ana tjetër kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka deklaruar se është në pritje të kryeministrit, Isa Mustafa, që ta procedojë Demarkacionin për miratim në Kuvend.
Veseli tha se që Demarkacioni të procedohet dhe të kalojë, partneri i tij i koalicionit duhet ta procesojë atë bashkë me nënshkrimet e 33 deputetëve të LDK-së në mbështetje të demarkacionit, me ç’rast Veseli tha se edhe PDK do t’i sigurojë votat e deputetëve të saj dhe seanca për Demarkacionin do të mbahet para se të zhvillohet seanca e mocionit të votëbesimit për Qeverinë.
Duke folur për mocionin e proceduar nga opozita për votëbesimin e Qeverisë, Veseli tha se seanca për të do të mbahet të mërkurën, derisa sqaroi se para kësaj seance PDK do të mbledh organin më lartë partiak – Këshillin Drejtues, ku do të diskutohet për këtë çështje.
