Macron feston me himnin e BE-së, premton të luftojë ndarjet që sfidojnë francezët

08.05.2017 14:21

Presidenti i zgjedhur i Francës, Emmanuel Macron, premtoi se do të shërbejë me përulësi....

Presidenti i zgjedhur i Francës, Emmanuel Macron, premtoi se do të shërbejë me përulësi, me forcë dhe duke u qëndruar besnik parimeve të Republikës për “liri, barazi dhe vëllazëri”.

Macron mundi të dielën, në raundin e dytë të zgjedhjeve rivalen nga ekstremi i djathtë, Marine Le Pen, me 66 për qind të votave, përkundrejt rreth 34 për qind të ish-drejtueses së Frontit Nacional.

39-vjeçari bëhet kështu presidenti më i ri i Francës dhe i pari që del jashtë sistemit të dy partive që nga krijimi i republikës. Ai ka festuar me himnin e Bashkimit Europian.

“Do të bëj gjithçka që mundem gjatë pesë viteve të ardhshme, në mënyrë që askush të mos ketë më arsye për të votuar për ekstremistët. Nuk do të dorëzohemi para frikës dhe ndarjeve. Do t’i luftoj ndarjet që sfidojnë Francën. Sfidat qe kemi përpara janë të mëdha, por me kryesorja është t’u shërbejmë çdo ditë francezëve”,- deklaroi presidenti i zgjedhur i Francës, Emmanuel Macron.

Ditën e parë si president i zgjedhur, centristi e nisi duke marrë pjesë, i ftuar nga presidenti në detyrë Holande, në një ceremoni në Harkun e Triumfit në Paris, që shënon 72-vjetorin e kapitullimit të Gjermanisë naziste.

Zgjedhja e tij në krye të Elizesë ka pasur një impakt direkt në tregjet botërore, aty ku euro ka shënuar rritje të madhe, si edhe ka sjellë një frymëmarrje çlirimi në të gjithë Bashkimin Europian.

Për zgjedhjen e Macron në krye të Elizesë festoi veçanërisht Brukseli. Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, dhe ai i Këshillit të Europës, Tusk, u shprehën të gëzuar që francezët zgjodhën të ardhmen europiane. Presidentin e ri e uruan edhe presidenti amerikan, Donald Tramp, kancelarja gjermane, Merkel, si edhe kryeministrja britanike, May. Urimet kanë ardhur edhe nga Maqedonia, Shqipëria e Kosova.

Macron pritet të bëjë betimin më 14 maj.