Maqedoni

Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe, pullë postare në nder të Ditës Ndërkombëtare

08.05.2017 14:36

Dita Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe shënon ditën e mirënjohjes për rolin e anëtarëve dhe vullnetarëve...

Dita Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe shënon ditën e mirënjohjes për rolin e anëtarëve dhe vullnetarëve të të dyja organizatave në shpëtimin e jetëve dhe mbrojtjen e njerëzve të varfër në të gjithë botën. 
 
“Në përmbushjen e misionit të saj, vullnetarët dhe të punësuarit tanë janë të udhëhequr nga parimet që shkojnë përtej kufijve fetare dhe kulturore. Kryqi i Kuq është përballur me sfida të shumta  sidomos gjatë dhe pas krizës së migrantëve apo fatkeqësive natyrore”,- deklaroi kryetari i Kryqit të Kuq të Maqedonisë, Milço Trajkov.
 
Ditën Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe Maqedonia e shënoi me pulla të reja postare. Ato vijnë në një tirazh prej 50 mijë ekzemplarësh, me një pagesë shtesë nominale prej 9 denarëve.
 
“Edhe njëherë duam të potencojmë dhe promovojmë rëndësinë e mirëkuptimit të përbashkët të shoqërisë, bashkëpunimit si dhe paqes së qëndrueshme mes të gjithë njerëzve”,- tha drejtori i Postës së Maqedonisë, Fadis Rexhepi.
 
Posta e Maqedonisë gjithë këtë javë ia ka dedikuar Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, dhe mjetet e grumbulluara nga shitja e pullave të reja postare do të kalojnë në llogarinë e kësaj organizate, për të ndihmuar pastaj ata që kanë më shumë nevojë. 
 
REJHANE BUSHI-METAJ