Dhuna në Kuvend, PThP me 9 akuza, masë paraburgimi vetëm për 2 persona
Prokuroria Themelore Publike ka dorëzuar aktakuzë për 9 persona, pjesëmarrës në dhunën në Kuvend, më 27 prill....

Prokuroria Themelore Publike ka dorëzuar aktakuzë për 9 persona, pjesëmarrës në dhunën në Kuvend më 27 prill.
Ata akuzohen vetëm për “pjesëmarrje në turmë e cila do të pengojë kryerjen e detyrës të personit zyrtar”, nga neni 384, paragrafi 1 nga Kodi Penal. Për dy persona nga këta të nëntë, Prokurori ka dorëzuar propozim për vazhdimin e masës së paraburgimit.
Për pesë persona, që deri tani kanë qenë në paraburgim, është kërkuar vetëm masë kujdesi, personi i moshuar që në filmimet shikohet se si kap nga flokët deputeten e LSDM-së, Radmilla Sheqerinska, do të mbahet në arrest shtëpiak për tetë ditë, masë kjo që është vazhduar edhe për një person që deri tani ishte në arrest shtëpiak.
Prokuroria, ndërkohë, ka hedhur poshtë kërkesën e MPB-së për padi penale për tre persona, me arsyetimin se për dy persona është bërë identifikim i gabuar, ndërkaq për të tretin nuk është konstatuar se e ka kryer veprën për të cilën ngarkohet. Prokuroria Publike sqaron se në pajtim me ligjin, kualifikimin juridik për kryerjen e veprës penale e jep prokurori publik.
“Në pajtim me ligjin, kualifikimin juridik të veprës së kryer penale e jep prokurori publik, i cili paraprakisht udhëhiqet nga dëshmitë e mbledhura deri në atë moment. Kjo do të thotë se, nëse gjenden dëshmi të tjera që tregojnë se një person ka kryer një vepër tjetër penale, prokurori publik gjatë tërë procedurës mund të kryejë rikualifikim ose personin ta ndjekë edhe për vepra të tjera penale “,- thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore.
Por, edhe 11 ditë pas dhunës në Kuvend, askush në prokurori nuk jep sqarime se deri ku është hetimi për njerëzit që hapën dyert e Kuvendit për protestuesit.
DHUNA NË KUVEND, LSDM: DYERT I HAPËN 3 DEPUTETË DHE SIGURIMI I BRENDSHËM
Nga LSDM thonë se Prokuroria duhet të hetojë deputetët dhe sigurimin e brendshëm të Kuvendit.
“Ka deputetë të cilët janë të përfshirë në hapjen e dyerve të Kuvendit, të paktën tre, si dhe plus tre të cilët kanë ndihmuar, edhe disa policë të sigurisë së brendshme që kanë ndihmuar në pjesën e kësaj ngjarje...”,- u shpreh Oliver Spasovski nga LSDM.
Për ngjarjet në Kuvend, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria, për vepra të ndryshme deri më tani kanë akuzuar 25 persona. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
