Maqedoni
Plomp: Qeveria e re të përmbushë agjendën europiane; Ademi: Perspektiva e Maqedonisë në BE
08.05.2017 15:39
Formimi i Qeverisë së re dhe implementimi urgjent i agjendës evropiane, mbeten prioritet kryesore të qeverisë së re...

Formimi i Qeverisë së re dhe implementimi urgjent i agjendës evropiane, mbeten prioritet kryesore të qeverisë së re, e cila me përkushtim të madh duhet të punojë për afrimin e sërishëm të vendit drejt BE-së.
Në festimet kushtuar ditës së Europës, zëvendëskryeministri, Arbër Ademi, dhe ambasadori i Holandës, Vilem Vuter Plomp, theksuan nevojën imediate për të zbatuar të gjitha rekomandimet në raportin e PRIBE-së dhe Marrëveshjes së Ohrit. Ata përshëndetën zgjidhjen e kryeparlamentarit të ri dhe dënuan ashpër incidentet e dhunshme në Kuvend.
“Zgjidhja e kryetarit të Kuvendit është një hap pozitiv në Maqedoni, mirëpo tani qeveria e re do të duhet medoemos të jetë e fokusuar në implementimin e plotë të agjendës europiane, respektivisht reformat urgjente të theksuara në raportin e PRIBE-së”,- deklaroi ambasadori i Mbretërisë së Holandës, Vilem Vuter Plomp.
“E vetmja rrugë për të çuar vendin përpara, për ta nxjerrë vendin nga kjo status quo dhe për të shënuar hapa pozitivë është duke përmbushur të gjitha reformat të cilat kanë të bëjnë me agjendën europiane, realizimin e reformave urgjente prioritare, e këtu veçanërisht do të fokusohesha në sundimin e së drejtës, reformat në gjyqësi, administratën publike dhe në shërbimet e inteligjencës”,- u shpreh zëvendëskryeministri për çështje europiane, Arbër Ademi.
Ademi dhe Plomp janë të mendimit se me vullnet, dëshirë dhe përkushtim të madh, udhëheqësit politikë mund të afrojnë vendin në BE edhe pse kanë kaluar pothuajse 13 vite prej kur Maqedonia aplikoi për anëtarësim në BE dhe 12 vite prej kur fitoi statusin e vendit kandidat. Për shkak të krizës së thellë politike, dy vitet e fundit Maqedonia merr rekomandim të kushtëzuar nga Komisioni Europian.
REXHEP QAMILI
