Parada në “Sheshin e Kuq”, gati 10 mijë trupa e 114 armë të reja
Në “Sheshin e kuq” të Moskës u zhvilluan provat e fundit të paradës madhështore, që do të mbahet nesër, në Ditën e Fitores mbi Nazizmin...

Mbi 10 mijë trupa, 114 armë të reja moderne e 72 avionë ishin pjesë e përgatitjeve, për të cilat ndiqet e njëjta procedurë si në paradën reale.
Në sheshin e famshëm të kryeqytetit rus kanë marshuar 46 formacione ushtarake nga 29 njësi, përfshirë këtu kadetë të instituteve më të larta ushtarake të vendit, ushtarët e distriktit ushtarak perëndimor, pjesëtarë të Gardës Kombëtare, si dhe ata të shërbimit federal të sigurisë.
Parada vazhdon me formacionet mekanike, autoblindat, platformat e lëshimit të raketave ndërkontinentale dhe tanket.
Prova gjenerale u përmbyll me formacionet ajrore, ku ekipet akrobatike demonstruan forcën e avionëve më të rinj luftarakë të vendit.
Ky zhvillim vjen në kohën kur shtypi i huaj njofton se Rusia po përpiqet për një zgjidhje paqësore të situatës në Afganistan, rol ky që përfshin edhe shitjen e kufizuar të armëve për talebanët, gjë që ngjall mosbesimin e Shteteve të Bashkuara.
Amerikanët janë për nga natyra dyshues lidhur me planet e Moskës në këtë vend.
Ekspertët besojnë, megjithatë, se më e shumta që Rusia mund të bëjë është t’i furnizojë talebanët me armë të lehta dhe armët e rënda i ruan vetëm për vete dhe paradat e Sheshit të Kuq.
