Kosovë, të mërkurën vendoset: Zgjedhje ose demarkacioni

08.05.2017 16:37

Të mërkurën, më 10 maj, do të vendoset nëse Kosova do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme...

Të mërkurën, më 10 maj, do të vendoset nëse Kosova do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme apo do të miratojë demarkacionin me Malin e Zi.

Kryeministri, Isa Mustafa, pati paralajmëruar për sot vendimin në qeveri për t’ia dërguar Kuvendit për miratim demarkacionin, por mbledhja e qeverisë dështoi pasi munguan ministrat e PDK-së.

Partnerët e koalicionit gjithsesi e diskutuan çështjen në prani edhe të përfaqësuesve të ShBA-së, e në fund vendosën që shqyrtimi i Projektligjit për demarkacionin të mbahet pas seancës të së mërkurës në Kuvend.

Opozita e ka cilësuar këtë shtyrje si fitore të saj. Madje, Vetëvendosje është e bindur se demarkacioni nuk do të vijë në rend dite pasi qeveria “Mustafa” nuk do të mbijetojë votëbesimin.

“Edhe njëherë qeveria nuk pati as guxim as gatishmëri që këtë marrëveshje ta sjell në Kuvendin e Kosovës dhe kjo flet edhe për Qeverinë edhe për marrëveshjen, këto zmbrapsje të vazhdueshme tregojnë qartë që qeveria në vete e din që kjo marrëveshje është jashtëzakonisht e dëmshme për Republikën e Kosovës”,- theksoi Visar Ymeri nga Vetëvendosje.

Por, LDK beson se jo vetëm që do t’i mbijetojë mocionit të besimit, por edhe se demarkacioni do të kalojë.

“Çështja e demarkacionit do të paraqitet në qeveri dhe në Kuvend pas të mërkurës”,- u shpreh Arban Abrashi nga LDK.

Nuk dihet nëse Qeveria do të arrijë të diskutojë për demarkacionin, pasi ai është kthyer në “mollë sherri” edhe mes partnerëve të koalicionit. PDK insiston që LDK të sigurojë pro demarkacionit të gjitha 33 votat e deputetëve të saj. Por, kjo duket e vështirë për kreun e LDK-së, Isa Mustafa, pasi disa deputetë kanë dalë hapur kundër demarkacionit.

Kjo ka bërë që disa deputetë të PDK-së të mbështesin mocionin ndaj qeverisë të ngritur nga opozita.

Ratifikimi i demarkacionit është kusht për liberalizimin e vizave, madje BE ka premtuar se brenda 90 ditëve pas miratimit të vendimit kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza.  (Gyltene Sinani, TVM2)