Maqedoni
Keqpërdorimet me shuarjen e gazetave, Selmani: Ka indikacione për vetëshkatërrim të MPM-së
08.05.2017 16:59
Kryetari i ShGM-së, Naser Selmani, ka deklaruar se ekzistojnë indikacione për shkatërrim të vetëdijshëm të ndërmarrjes “Media Print” –Maqedoni...

Kryetari i ShGM-së, Naser Selmani, ka deklaruar se ekzistojnë indikacione për shkatërrim të vetëdijshëm të ndërmarrjes “Media Print” –Maqedoni, duke lënë pa punë mbi 120 punonjës të gazetave “Utrinski Vesnik” dhe “Vest”.
Selmani thotë se pronarët e ndërmarrjes heshtin ndaj informacioneve të publikuara se në gusht të 2015-ës kur gazetarëve iu janë ulur rrogat për 20%, drejtoreshës Stanisavleva i është ofruar rrogë prej 25 mijë euro. Sipas Selmanit, rasti i shkatërrimit të ndërmarrjes MPM dëshmon se mediat nuk shërbejnë për informim, por për propagandë politike të pushtetit në ikje.
“Vetëm mediat e lira dhe profesionale kanë ardhmëri në Maqedoni, gjithçka tjetër është afatshkurtër që përfundon me shkatërrim. Sistemi mediatik në Maqedoni është i korruptuar. Pushteti bashkë me pronarët e mediave i keqpërdor mediat, shembulli i MPM-së është një pjesë e mozaikut të atij krimi dhe korrupsioni që gjithsesi ekziston edhe në media të tjera. Andaj ftoj edhe mediat tjera të ndalojnë të shpërbejnë si makineri propaganduese të ndonjë pushteti, pasi që edhe ata do të përfundojnë si viktimë”,- deklaroi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
Çausidis: Do të’i padisim pronarët e MPM-së
Sindikata e pavarur i mediave gjithashtu ka dënuar raportin e stafit drejtues të MPM-së me gazetarët, të cilët po i ikin kompensimeve ndaj gazetarëve të mbetur pa punë. Kryetarja, Tamara Çausidis, informoi se Sindikata dhe ShGM do të padisin pronarët e MPM-së për nënshkrimin e marrëveshjeve, që janë arsye direkte për shkatërrimin e agjencisë informative.
“Ne jemi në fazën e ngritjes së padisë penale për nënshkrimin e marrëveshjeve të dëmshme, keqpërdorim të detyrës zyrtare, e cila me vetëdije i shkaktoi probleme financiare ndërmarrjes, uli rrogat e gazetarëve dhe në fund erdhi në mbylljen e gazetave, duke i lënë njerëzit pa punë”,- u shpreh kryetarja e Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve, Tamara Çausidis.
ShGM dhe Sindikata e pavarur e gazetarëve kërkojnë nga institucionet që të hyjnë në “Media Print” - Maqedoni dhe të hulumtojnë keqpërdorimet nëpërmjet marrëveshjeve të nënshkruara.
MERAL ISMAILI
