Maqedoni

Dita e Policisë, LSDM: jo më polici që drejtohet nga shtabet partiake

08.05.2017 17:11

Ish-ministri i Brendshëm, Spasovski, thotë se qeveria e re reformuese, e udhëhequr nga LSDM...

Ish-ministri i Brendshëm, Spasovski, thotë se qeveria e re reformuese, e udhëhequr nga LSDM, është e vendosur të zbatojë reforma rrënjësore në shërbimet e policisë dhe sigurisë, që forcat e rendit të jenë tërësisht  profesionale, bashkëkohore dhe efikase, në shërbim të  qytetarëve. 
 
“Së bashku me profesionistët, do t’i bëjmë reformat e nevojshme përmes të cilave do të mundësojmë që policia t’i mbrojë vetëm qytetarët, e jo interesat personale të dikujt, ose interesat partiake. Askush më nuk do ta drejtojë policinë nga shtabet partiake. Do të kemi një polici e cila në mënyrë joselektive do të luftojë krimin dhe korrupsionin, nëpërmjet zbatimit të ligjeve për të gjithë, e kjo do të arrihet duke i përmirësuar kushtet për punë të pjesëtarëve të shërbimit policor dhe të sigurisë. Do të ketë barazi për të gjithë para ligjeve. Vetëm përmes depolitizimit dhe dekriminalizimit të policisë mund të ndërtojmë sistem të sigurt profesional dhe efikas, që do ta garantojë sigurinë, stabilitetin dhe shtetin ligjor, ashtu siç jemi të vendosur ta ndërtojmë Republikën e Maqedonisë”,- deklaroi ish-ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.
 
BESIM ABDULLAI