Maqedoni
A do ta ndajë mandatin Ivanovi?! Xhaferi: seanca e radhës, për zgjedhjen e Qeverisë
08.05.2017 17:40
Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, pret përgjigje pozitive nga presidenti i Republikës, Gjorge Ivanov...

Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, pret përgjigje pozitive nga presidenti i Republikës, Gjorge Ivanov, pas njoftimit me shkrim se në Kuvend ka shumicë të re parlamentare dhe kryeparlamentar të ri. Gjatë periudhës së paraparë me Kushtetutë për ndarjen e mandatit nga ana e presidentit, kryeparlamentari Xhaferi nuk parasheh as vazhdim të seancës konstituive.
“Seanca e radhës do të jetë seanca për votimin e qeverisë së re dhe programin qeveritar”,- thotë Xhaferi për RTVM.
Heshtje në Presidencë. Presidenti, Gjorge Ivanov, është kthyer nga vizita zyrtare në Turqi, por ende nuk i është përgjigjur letrës së kryeparlamentarit të ri.
Konform Kushtetutës, Ivanov është i detyruar që brenda 10 ditëve nga konstituimi i Kuvendit, t’ia ndajë mandatin kandidatit të partisë apo partive që përbëjnë shumicën në Kuvend.
Që nga formimi i shumicës së re parlamentare deri në vizitën e përfaqësuesit të lartë ShBA-ve, Brajan Hojt Ji, presidenti deklaronte se nuk e ka në plan t’ia ndajë mandatin kandidatit për mandator, Zoran Zaevit, duke marrë për shkas Deklaratën e përbashkët të partive shqiptare, mirëpo pas takimit me zëvendëssekretarin Ji, Ivanov tha se pengesa është e kapërcyeshme.
Tendencë për zvarritje të procesit edhe në Gazetën Zyrtare. Vendimi i shumicës për zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetar Kuvendi, i dorëzuar që ditën e mërkurë, ende nuk është shpallur.
Në ndërkohë, faktori ndërkombëtar, posaçërisht organizatat ku Maqedonia pretendon të anëtarësohet, siç është NATO dhe BE, por edhe ShBA-të vazhdon me mbështetjen për zhbllokimin e proceseve demokratike në vend. Kjo çështje ishte temë diskutimi edhe në takimet e ndara që Xhaferi pati me ambasadorin e ShBA-së, Xhes Bejli, dhe atë të Francës, Krisitijan Timonie.
“Ambasada e ShBA-ve punon në koordinim me delegacionin e BE-së në RM, pasi aktivitetet që pasojnë janë me rendësi të posaçme për të ardhmen e shtetit”- citohet të ketë thënë ambasadori i ShBA-ve, Xhes Bejli, shkruan në kumtesën e Kuvendit.
Ndërkaq, kryeparlamentari i ri ka siguruar se do të zbatojë të gjithë kompetencat që ka në harmoni me Kushtetutën, Ligjin dhe Rregulloren, në momentin që do të pranojë propozimin për përbërjen e qeverisë dhe programin e saj për punë.
SHPËTIM NUREDINI
