Botë
Migrimi ilegal, viktima të reja, 200 të mbytur gjatë orëve të fundit
09.05.2017 13:06
Nuk ka të ndalur fluksi i emigrantëve të nisur nga Libia drejt brigjeve italiane...

Nuk ka të ndalur fluksi i emigrantëve të nisur nga Libia drejt brigjeve italiane, por as numri i viktimave të tyre të shkaktuara nga tragjeditë e detit.
Sipas Organizatës Botërore të Migracionit, rreth 113 emigrantë kanë humbur jetën dje më parë pas mbytjes së një gomone në brigjet e Libisë.
Operacionet e shpëtimit kanë mundur të shpëtojnë vetëm 7 persona, 6 burra e 1 grua, e sipas dëshmive të tyre në gomone gjendeshin rreth 120 persona, mes të cilëve 30 gra e 9 fëmijë.
80 viktima të tjerë emigrantësh janë shënuar në tragjedinë e dy ditëve më parë po në brigjet libiane, pas përmbytjes së një gomone e cila u mbush me ujë.
Të mbijetuarit u shpëtuan nga anija daneze “Alexander Maerks”, e pas mbërritjes së tyre në portin Pozzallo të Sicilisë për Prokurorinë e Raguzës rrëfyen se mes viktimave ishte dhe skafisti i gomones.
Vetëm gjatë fundjavës së fundit në brigjet italiane kanë mbërritur rreth 6 mijë emigrantë.
