9 maji - Dita e Europës, Ademi: BE të mbajë të hapur dyert për Maqedoninë

09.05.2017 14:33

Maqedonia në këto momente historike ka nevojë për vendime historike....

Maqedonia në këto momente historike ka nevojë për vendime historike dhe të drejta për t’i dhënë fund krizës, ka deklaruar zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Arbër Ademi, me rastin e shënimit të 9 majit - Ditës së Europës, njofton “TVM2”.

Ademi, duke dënuar sulmin në Kuvend, ka theksuar nevojën e zgjedhjes së qeverisë reformatore në një afat sa më të shpejtë, duke siguruar kapacitete institucionale për realizimin e reformave që dera e BE-së të mbetet e hapur për Maqedoninë.                                                   

“Qeveria e re reformatore do të duhet të zgjidhet sa më shpejtë të jetë e mundur. Ajo do të duhet të përballet me shumë sfida për të cilat nevojitet përkushtim i plotë dhe njohuri në ndërtimin e kapaciteteve institucionale për të përmbushur reformat dhe të kthehet besimi në institucione. Nuk do të jetë e lehtë, por thellë besoj se është e mundur, pasi që për Maqedoninë e rëndësishme është që dera e BE-së të mbetet e hapur, alternativë tjetër Maqedonia nuk ka”,- deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Europiane, Arbër Ademi.    

ZHBOGAR: BE PARA SHUMË SFIDAVE                                                              

Euroambasadori, Samuell Zhbogar, ka theksuar se BE në shënimin e 60 vjetorit të ekzistimit po përballet me shumë sfida, por edhe zgjedhje.                                                                                                        

“BE është zgjedhje për qytetarët e Europës, vendeve aspirante dhe qytetarëve të saj. Jetojmë në kohëra të ndryshimeve dhe sfidave. Çdo vend anëtar, çdo vend aspirant i Ballkanit Perëndimor, si dhe BE dhe vetë qytetarët e Europës do të duhet të vendosin se si do të duhet të përballen me këto ndryshime dhe sfida duke u nisur nga leksionet e historisë”,- tha ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.    

TIMONIE: MAQEDONIA T’I KTHEHET RRUGËS SË BE-SË

Edhe ambasadori i Francës, Kristijan Timonie, deklaroi se për BE-në është e rëndësishme që Maqedonia t’i kthehet rrugës europiane.                                       

“Pason shumë punë, por shohim se ka entuziazëm. Kjo është tejet e rëndësishme, pasi që Maqedonia luan rol vital për stabilitetin në Ballkan. Integrimi i Ballkanit do të vërtetojë suksesin e BE-së”,- u shpreh ambasadori i Francës, Kristijan Timonie.

Sa i përket ndarjes së mandatit për formimin e qeverisë, Timonie ka theksuar se vendimi është në duart e presidentit, Gjorge Ivanov, i cili do të veprojë si burrështetas i përgjegjshëm. (Meral Ismaili, TVM2)