Lëvizja “Besa”: Të dënohen dhunuesit e deputetëve
Sistemi i drejtësisë, përfshirë të gjitha gjykatat dhe prokuroritë publike....

Sistemi i drejtësisë, përfshirë të gjitha gjykatat dhe prokuroritë publike, përfundimisht duhet të ridefinohet, thonë nga Lëvizja “Besa”. Nga kjo parti vlerësojnë se një nga shtyllat kryesore, e cila urgjentisht kërkon ndërhyrje për t’u definuar drejtë dhe saktë, që në të ardhmen të mund të sjellë vendime të drejta, pa u ndikuar nga politika, është sistemi i drejtësisë. Sipas tyre, është e patolerueshme që edhe sot e kësaj dite gjykatat veprojnë me standarde të dyfishta kur janë në pyetje maqedonasit dhe shqiptarët.
“Si ka mundësi që një i ri në një protestë të kontrolluar vetëm pse i ka thyer xhamat e gjykatës për të shprehur revoltë ndaj vendimeve të padrejta në rastet e montuara politike të dënohet me tre vjet burg, ndërsa në anën tjetër dhunuesit e deputetëve në rastin e 27 prillit të lihen në arrest shtëpiak, ose nuk ju shqiptohet asnjë masë parahetimore. Lëvizja “Besa” gjykon se këtij sistemi të padrejtësisë i nevojitet urgjentisht një ridefinim i plotë për t’u kthyer profesionalizmi dhe për t’u vendosur në pozita të caktuara persona adekuatë të cilët nuk do të gjykojnë mbi baza etnike dhe fetare”,- deklaroi anëtari i Kryesisë Qendrore, Blerim Sejdiu.
Nga kjo parti theksojnë se përfundimisht me ridefinimin e sistemit të drejtësisë duhet të çrrënjoset mendësia e funksionimit komunist të ish-Jugosllavisë në raport me shqiptarët. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)
