Maqedoni
Funksionimi i Pushtetit Lokal pas 15 majit, Kushtetuesja do të vendos për mandatin e tyre
09.05.2017 15:19
Gjykata Kushtetuese të mërkurën pritet të vendos se a do ta vazhdojë mandatin e kryetarëve të komunave...

Gjykata Kushtetuese të mërkurën pritet të vendos se a do ta vazhdojë mandatin e kryetarëve të komunave edhe pas 15 majit për shkak të skadimit të afatit për shpalljen dhe organizimin e tyre. Ministri i Drejtësisë, Valdet Xhaferi, thotë se konform vendimit të kushtetueses do t’i ndërmarrin edhe hapat e mëtejmë.
“Jemi në pritje të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, por kemi një Kuvend funksional dhe një kryetarë të Parlamentit. Të gjitha veprimet që shkojnë drejt një zgjidhjeje të duhur i kemi përpara dhe besoj se së shpejti do të dalim me një zgjidhje për pushtetin lokal dhe për kryetarët e komunave. Le të presim vendimin që do ta sjellë gjykata dhe konform atij vendimi do të marrim edhe hapat e mëtutjeshëm”,- deklaroi ministri i Drejtësisë, Valdet Xhaferi.
Dy ministritë, ajo e Pushtetit Lokal dhe e Drejtësisë, dorëzuan në Kushtetuese iniciativë për interpretimin e dispozitave të cilat përveç mandatit të rregullt katërvjeçar, nuk parashikojnë asgjë për rastet e jashtëzakonshme.
Por, në rrethana kur është zgjedhur kryetari i Kuvendit dhe së shpejti pritet edhe zgjedhja e Qeverisë së re, Kuvendi pritet të sjellë ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor për shpalljen e zgjedhjeve lokale.
Shpallja e zgjedhjeve për pushtetin vendor u pamundësua pikërisht për shkak të stërzgjatjes së seancës konstituive të Kuvendit që pengonte zgjedhjen e kryeparlamentarit, i cili siç parashihet me Kodin Zgjedhor duhet të njoftojë KShZ-në për datën e zgjedhjeve, në mënyrë që gjithçka të kthehet në korniza ligjore.
NAIM RAMADANI
