Maqedoni
Rasti “Lagja e Trimave”, pas dy vitesh Prokuroria prezanton CD, Raufi: Prokuroria po fsheh fakte
09.05.2017 16:18
Dy vjet pas përleshjes së armatosur në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, mbetet enigmë se çka saktësisht ndodhi mëngjesin e 9 majit...

Seanca gjyqësore për të arrestuarit në këtë rast, e caktuar për sot, është anuluar për më 11 maj, me arsyetimin se Prokuroria Publike do të duhet të prezantojë video-incizimet nga fillimi deri në fund të aksionit policor në kohëzgjatjen prej dy orësh.
Pala mbrojtëse akuzon se prezantimi i video-regjistrimeve pas kaq kohe nuk është praktikë e zakonshme gjyqësore, pasi që e njëjta në të këtilla raste duhet prezantuar në fillim të procedurës gjyqësore.
“Sipas gjykatës, arsyeja e anulimit të seancës gjyqësore është bërë për shkak se duhet shikuar një CD e të gjithë ngjarjes së armatosur prej fillimit deri në fund nga ana e Prokurorisë Publike. Ne si avokatë reaguam në seancën e kaluar më 5 maj se pse kjo si provë nuk është realizuar që në fillim, ashtu duhet sipas ligjit, por ka mbetur tani te provat shtesë dhe nga ana e Prokurorisë nuk kishte arsyetim se përse tani po prezantohet. Shihen që provat që i propozon Prokuroria janë të selektuara praktikisht, jo vetëm dubiozat e CD-së që jepet në fund, që nuk është gjë praktike... Unë isha prezent edhe për rastin “Brodec” i cili filloi me prezantimin e ngjarjes me CD, ndërsa këtu e kundërta, që nuk është sipas ligjit, pasi që duhej për këtë procedurë njëherë të prezantohet CD-ja, e mandej ne si palë mbrojtëse të dimë çfarë të propozojmë”,- deklaroi avokati i mbrojtës, Naser Raufi.
Raufi dyshon se Prokuroria ka qasje selektive dhe fsheh prova me të cilat mund të vërtetohet përfshirja e shërbimit sekret dhe e MPB-së në këtë rast. Për këtë arsye ai thekson nevojën për hetim ndërkombëtar.
“Vetëm një hetim ndërkombëtar mund ta zbardhë rastin dhe të na mundësojë të jemi të barabartë ne si palë mbrojtëse me Prokurorinë edhe që të gjitha provat me të cilat disponon Prokuroria të jepen në tërësi”,- theksoi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Pala mbrojtëse po ashtu pret që Gjykata do t’i pranojë të gjithë emrat e politikanëve të propozuar si dëshmitarë në seancën e fundit gjyqësore, për të cilët sipas palës mbrojtëse të gjithë kanë pasur njohuri lidhur me rastin e Kumanovës.
Për përfshirje në këtë rast akuzohen 37 persona për veprën penale “terrorizëm” lidhur me përleshjen e armatosur më 9 dhe 10 maj në “Lagjen e Trimave”, ku mbetën të vrarë tetë policë dhe 10 persona nga Grupi i Armatosur.
REXHEP QAMILI
