Këshilli i Prokurorëve anulon seancën, pritej zgjedhja e kreut të Prokurorisë në Shkup
Këshilli i Prokurorëve Publikë e anuloi për më 16 maj seancën....

Këshilli i Prokurorëve Publikë e anuloi për më 16 maj seancën në të cilën duhej të debatohej për zgjedhjen e dy prokurorëve në Prokurorinë e Lartë Publike të Shkupit dhe të një prokurori në Prokurorinë Publike Republikane, si dhe për shpalljen e re për zgjedhjen e kreut të Prokurorisë Publike të Shkupit, të cilën tani e udhëheq prokurorja, Gordana Geshkovska, mandati i të cilës skadon më 15 maj.
Nuk jepen sqarime për shkaqet se pse u anulua seanca e sotme zgjedhore, e cila ishte anuluar edhe javën që kaloi.
Në kompetencë të Geshkovskës janë lëndët të lidhura me dhunën në Kuvend, kurse Prokuroria e Shkupit është kritikuar disa herë për shkak të mënyrës me të cilën ka vepruar me këto raste. Përndryshe, Geshkovska në opinion është e njohur pas rastit “Monstra”, në të cilin ajo kërkoi dënim maksimal për të dyshuarit, veprim i cili shkaktoi protesta.
Nga ato protesta, ku u thyen dritaret e gjykatës, u dënuan disa protestues me dënime deri më 2 vjeç. Po për dallim të asaj, Geshkovska nuk ka ndërmarrë asgjë për të përcaktuar përgjegjësinë te organizatorët e protestës “Për Maqedoni të përbashkët”, edhe pse Policia e ka kërkuar një gjë të tillë, e as nuk ka ngritur procedurë për ata që thyen dhe shkatërruan sallat parlamentare dhe korridoret.
Geshkovska është e njohur për opinionin edhe për lëndën “Merimanga”, në të cilën u dënua pronari i Televizionit A1, Velija Ramkovski, si dhe rastin për vdekjen e gazetarit, Nikolla Mlladenov. (Ersan Pajaziti, TVM2)
