Maqedoni
Sindikata e Mbrojtjes, akuza ministrit për mospagesë të anëtarësisë. Ministria e Mbrojtjes: Sindikatat nuk i sollën listat e anëtarëve
09.05.2017 17:06
Sindikata e Mbrojtjes dhe Sigurisë ka akuzuar ministrin e Mbrojtjes, Zoran Joleski...

Sindikata e Mbrojtjes dhe Sigurisë ka akuzuar ministrin e Mbrojtjes, Zoran Joleski, për vjedhjen e 450 mijë denarëve pikërisht nga kjo sindikatë, duke mos e bërë pagesën e anëtarësimit. Nëse nuk bëhet pagesa e anëtarësimit, si dhe nuk ka përmirësime të kushteve dhe rritje të pagave të punëtorëve, sindikata paralajmëron grevë.
“Me vetëdije shkelin të drejtat ndërkombëtare por edhe ligjet e Maqedonisë, dhe para së gjithash edhe marrëveshjen kolektive të Ministrisë së Mbrojtjes, me atë që ka filluar të ndërhyjë në punën e sindikatës. Ministria e Mbrojtjes në një farë mënyre ka vendosur të mos na paguhen ato para. Praktika e pagesës së anëtarësimit nga anëtarët tanë është një praktikë që ka filluar nga formimi i sindikatës në vitin 1998”,- deklaroi kryetari i Sindikatës për Mbrojtje dhe Siguri, Risto Ajtov.
“Ne dhe sindikata e ushtarëve profesionalë, së bashku do të luftojmë për përmirësimin e kushteve për punë dhe rritjen e pagës së ushtarëve për 20% si dhe rritjen e mëditjes”,- tha Adnan Alitov Sindikata e Ushtarëve Profesionalë.
Ministria e Mbrojtjes me një reagim me shkrim ka reaguar duke thënë se e ka kërkuar nga dy sindikatat listën e anëtarëve për të paguar anëtarësimin. Nga kjo ministri thonë se nuk kanë marrë asnjë listë të anëtarëve dhe pikërisht për këtë nuk janë marrë të holla nga rroga e punëtorëve për të bërë pagesën e anëtarësimit në sindikata, por punëtorët kanë marrë rrogë të plotë.
Për Ministrinë është i rëndësishëm çdo punëtorë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Armatën e Maqedonisë, por presim sindikata përkatëse të funksionojë me seriozitetin më të madh dhe të punojnë për përmirësimin e kushteve dhe për të drejtat e të punësuarve, thuhet në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
REJHANE BUSHI-METAJ
