LSDM: Mosreagimi i Prokurorisë inkurajon protestuesit

09.05.2017 18:07

LSDM-ja ka kërkuar sot nga Prokuroria Publike që tërësisht ta ndriçojë dhunën në Kuvend....

LSDM-ja ka kërkuar sot nga Prokuroria Publike që tërësisht ta ndriçojë dhunën në Kuvend. Sipas kësaj partie, mosreagimi i Prokurorisë Publike në mënyrë plotësuese i inkurajon protestuesit, prandaj mbrëmë kishte kërcënime plotësuese dhe retorikë të dhunës nga pjesëmarrësit në protestë.

“Ndodhi rrezikim terrorist i rregullimit kushtetues dhe sigurisë, u bë tentim për vrasje të deputetëve, u sulmuan gazetarë dhe të punësuar në Kuvend. Duhet të ketë zgjidhje të shpejtë dhe efikase të veprave të rënda penale. Këto janë pritjet e të gjithë opinionit të Maqedonisë, megjithatë edhe ndërkombëtar. E ftoj prokurorinë të punojë seriozisht, t’i vërtetojë të gjitha veprat penale që paraqesin shkatërrim të institucionit ligjvënës dhe në mënyrë të drejtë, juridike, t’i kualifikojë hetimet dhe akuzat, të përfshihen të gjithë personat që e kanë porositur, ndihmuar dhe realizuar sulmin ndaj Kuvendit, deputetëve, policisë, të punësuarve dhe gazetarëve”,- deklaroi Petre Shilegov nga LSDM.

PROKURORIA PUBLIKE: NË ASNJË MOMENT NUK PO I PENGOJMË HETIMET

Por, në reagimin e saj Prokuroria Publike theksoi se në asnjë moment nuk po e pengon hetimin dhe nuk i pengon organet kompetente të bëjnë dokumentimin e ngjarjeve në Kuvend. 

“Përkundrazi, në përputhje me ligjin, Prokuroria Publike jep urdhra për zbulimin e të njëjtëve dhe do të veprojë gjithnjë ndaj të gjitha padive penale për të cilat janë të dokumentuara vepra më të rënda penale. Njëherit, çdo ngjarje penalo-juridike është e veçantë dhe nuk mund të tërhiqen paralele në qasje”,- thuhet në reagimin e Prokurorisë Publike. Po ashtu Prokuroria thekson se deri tani ka pranuar padi penale nga Ministria e Punëve të Brendshme vetëm për kryerës të dyshuar për futje të dhunshme në Kuvend dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e funksionit të tyre. Deri në këtë moment Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka sjellë padi penale të dokumentuara për asnjë vepër tjetër penale, ndaj asnjë personi, thonë nga Prokuroria Publike, që nënkupton se nuk është parashtruar padi për rrahjen e deputetëve.

KUVENDI: DËMET DO T’I KOMPENSOJË KOMPANIA E SIGURIMIT

Ndërkohë, nga shërbimi për informim i Kuvendit kanë njoftuar se objekti i Kuvendit dhe pajisjet janë të siguruara në një agjenci sigurimi e cila do t’i kompensojë të gjitha dëmet e shkaktuara më 27 prill.

“Pas ngjarjeve të 27 prillit të vitit 2017, shërbimi profesional i Kuvendit të Maqedonisë ka bërë hetime të dëmit material. Momentalisht po kryhet dokumentimi, fotografimi dhe përshkrimi i të njëjtës. Pas kryerjes së procedurës së përgjithshme për verifikim dhe vlerësim të dëmit të shkaktuar, do t’u njoftojmë për të njëjtën. Kuvendi, objekti dhe pajisjet janë të siguruara dhe kompania e sigurimit do t’i mbulojë dëmet e shkaktuara”,- thuhet në njoftimin e Kuvendit.(Gylten Sinani, TVM2)