LSDM: Hetim të ri transparent për “Lagjen e Trimave”, VMRO-DPMNE nderim policëve të vrarë, kritika LSDM-së

09.05.2017 18:14

LSDM-ja ka shprehur respekt për pjesëtarët e rënë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.....

LSDM-ja ka shprehur respekt për pjesëtarët e rënë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në përleshjen e armatosur në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, më 9 maj të vitit 2015, por po ashtu është zotuar se rasti do të zbardhet në mënyrë transparente, të pavarur dhe në mënyrë profesionale.

“Programi i Qeverisë së ardhshme, i udhëhequr nga LSDM, ka paraparë hetim të ri detal që do të ndriçonte të gjitha aspektet e ngjarjes në Kumanovë. Kjo patjetër duhet të realizohet në mënyrë transparente, të pavarur dhe profesionale, që të pastrohen të gjitha dilemat”,- deklaroi Martin Kostovski nga LSDM.

“Do të kërkoj edhe përkrahje ndërkombëtare në hetim për të siguruar të gjitha informacionet relevante, por edhe për sigurimin e besimit të plotë të qytetarëve në rezultatet e hetimit. Askush nuk do të amnistohet nga përgjegjësia nëse konfirmohet se në çfarëdo mënyre ka qenë pjesë e incidentit që e ka rrezikuar sigurinë e vendit”,- theksojnë nga LSDM. Sipas kësaj partie, e vërteta për ngjarjet e 9 majit të vitit 2015 në Kumanovë është detyrim kundrejt familjeve të tetë pjesëtarëve të ndjerë të policisë, kundrejt familjeve që mbetën pa shtëpitë e tyre dhe kundrejt të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.

Edhe VMRO-DPMNE i ka nderuar tetë pjesëtarët e forcave të sigurisë të cilët dy vite më parë humbën jetën në Kumanovë, por nuk ka lënë pa e sulmuar LSDM-në.

“Për dallim prej tyre, Zoran Zaev dhe Oliver Spasovski përgjithmonë do të mbesin në anën e kundërt, mes atyre që ia kanë kthyer shpinën popullit të tyre. Pas aksionit antiterrorist në Kumanovë, anëtarët e LSDM-së kanë sulmuar dhe ofenduar forcat e sigurisë, ndërsa tani Zaev ka pranuar “Platformën e Tiranës”. Zaev me ngulm po shkel ndjenjat e Maqedonisë. Qytetarët janë të irrituar nga politikat e këtilla të Zaevit dhe veprimit të tij antishtetëror dhe antinacional”,- thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së. (Gazmend Kurtishi, TVM2)