Maqedoni

Zgjedhja e Xheferit shpallet në Gazetën Zyrtare, Ivanov hesht për mandatin

09.05.2017 18:22

Gazeta Zyrtare e RM-së shpalli vendimin e Parlamentit se Talat Xhaferi është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Republikë së Maqedonisë....

"Numri i sotëm  i Gazetës Zyrtare është shtypur, në vijim është distribuimi, ndërkohë po përgatitet edhe botimi elektronik",- informojnë nga Gazeta Zyrtare.
 
Shpallja e vendimit të Kuvendit paraqet mënjanimin e njërës nga disa barrierave që ka vendosur presidenti Ivanov për të ndarë mandatin për formimin e qeverisë së re.
 
Pas dorëzimit të 67 nënshkrimeve nga ana e kandidatit të shumicës për mandator dhe pas njoftimit nga ana e kryeparlamentarit se në Kuvend ka shumicë të re dhe kryetar të ri Kuvendi, shpallja e vendimit të Gazetën Zyrtare pritej t’i ndihmojë presidentit që të ndajë mandatin.
 
Por, Ivanov as sot nuk ndau mandatin, madje nuk iu përgjigj opinionit se kur do ta ndajë mandatin, ai sot ia ndau Operës dhe Baletit të Maqedonisë “Urdhrin e Meritës” për Maqedoninë. 
 
LSDM: Ivanov të respektojë detyrimin kushtetues
 
LSDM, nga ana tjetër, kërkon që Ivanov të zbatojë detyrimin kushtetues dhe të ndajë mandatin për formimin e qeverisë së re.
 
“Presim që z. Ivanov do të veprojë në harmoni me detyrimin kushtetues dhe në afatin kushtetues të mbarojë kjo çështje, në harmoni me njoftimin që ka marrë nga kryetari i Kuvendit të RM-së. Një ditë e më parë, është më mirë për Republikën e Maqedonisë”,- theksoi Petar Shilegov nga LSDM.
 
BDI: qeveria e re do të formohet shumë shpejtë
 
Edhe nga BDI presin që shumë shpejt presidenti të ndajë mandatin për formimin e qeverisë së re dhe janë optimistë se nuk do të përsëriten incidentet e 27 prillit.
 
“Besoj se shumë shpejt do të kemi qeveri reformuese demokratike në vendin tonë. Nuk besoj se do të ketë tensione, tensionet mbaruan. Ajo që ndodhi në Kuvend është një pasqyrë e shëmtuar për vendin tonë dhe nuk besoj se gjëra të tilla do të përsëriten”,- u shpreh Nevzat Bejta nga BDI.
 
VMRO nuk e komenton qëndrimin e presidentit
 
Partia amë e presidentit Ivanov, VMRO-DPMNE, nuk e komenton refuzimin e presidentit që të ndajë mandatin.
 
“Sa u takon qëndrimeve të presidentit Ivanov, ju lutem t’i drejtoheni kabinetit të presidentit Ivanov”,- tha Dragan Danev nga VMRO-DPMNE.
 
Neni 90 i Kushtetutës është decid, “Presidenti i Republikës së Maqedonisë e ka për detyrë që në afat prej dhjetë ditëve, nga dita e konstituimit të Kuvendit, mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Kuvend”,- shkruhet në Kushtetutë. 
 
SHPËTIM NUREDINI