Botë

Trump shkarkon drejtorin e FBI-së, keqinformoi në lidhje me e-mailet e Clintonit

10.05.2017 09:29

Shtëpia e Bardhë konfirmoi tashmë se presidenti Trump ka shkarkuar drejtorin e FBI-së, James Comey...

“Ju nuk jeni në gjendje që në mënyrë efektive të udhëhiqni Byronë”,- shkruhej në letrën e shkarkimit. Lëvizja erdhi vetëm pak pasi u zbulua se Comey kishte raportuar informacione jo të sakta në Kongres në lidhje me e-mailet e kundërkandidates demokrate Clinton gjatë garës presidenciale.
 
Por, demokratët argumentojnë se pushimi i tij erdhi për shkak të hetimeve mbi lidhjet e pretenduara mes fushatës së Trumpit dhe Rusisë, dhe sipas tyre Shtëpia e Bardhë po përpiqet të bllokojë hetimet mbi këtë çështje.
 
Comey ka shërbyer si drejtor i FBI-së për vetëm 4 vjet, ndërkohë që mandati i tij parashikonte edhe 6 vite të tjera.
 
Edhe pse kreu i FBI-së është kritikuar edhe nga demokratët për mënyrën se si e ka hetuar çështjen e e-maileve të ish-sekretares së shtetit Clinton, tashmë shqetësimi ngrihet për mënyrën se si po godet Trumpi.
 
Disa demokratë e krahasuan lëvizjen e Trumpit me Masakrën e natës së të shtunës të vitit 1973, në të cilën presidenti, Richard Nixon, shkarkoi nga detyra prokurorin e posaçëm të pavarur që hetoi skandalin e Uatergate.
 
Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë gjithsesi kanë mohuar akuzat se lëvizja e Trumpit ndaj Comeyt ishte politike.
 
Agjencitë e zbulimit të ShBA-ve përfunduan një raport në muajin janar në të cilin konkluduan se presidenti rus, Vladimir Putin, kishte urdhëruar një përpjekje për të prishur zgjedhjet e vitit 2016, me qëllim që të ndihmonte Donald Trumpin.
 
Shkarkimi i Comey vjen një ditë pasi ish-prokurorja e përgjithshme, Sally Yates, deklaroi në seancën dëgjimore në senat se ajo kishte njoftuar Shtëpinë e Bardhë më 26 janar se Flynn kishte rrezik të shantazhohej nga Moska pasi ai kishte gënjyer në lidhje me bisedat e tij me ambasadorin rus, Sergei Kislyak.
 
Rusia ka mohuar vazhdimisht çdo ndërhyrje në zgjedhje dhe administrata Trump mohon akuzat për bashkëpunim me Rusinë.
 
BELINDA KOKA-ADEMI