Maqedoni

Enigmë vrasja e mjekes në Shkup, Prokuroria punon për zbardhjen e rastit

10.05.2017 15:49

Prokuroria Themelore Publike - Shkup ka kryer ekspertizë në objektin banesor përballë qendrës klinike në Shkup...

Prokuroria Themelore Publike - Shkup ka kryer ekspertizë në objektin banesor përballë qendrës klinike në Shkup, ku mbrëmë u gjet trupi i 53-vjeçares J. M. S., e punësuar si mjeke në Klinikën e Nefrologjisë në Shkup dhe si profesoreshë me kohë të pjesshme në Fakultetin e Mjekësisë. Prokuroria po punon për të zbuluar arsyet e vdekjes së mjekes.
 
Gjatë ekspertizës, në trupin e të ndjerës janë vërejtur goditje të dukshme me thikë në pjesën e qafës. Trupi është dërguar për autopsi, ndërsa nga vendi i ngjarjes janë grumbulluar të gjitha materialet dhe argumentet që mund të ndihmojnë në hetim dhe e njëjta të jepet në ekspertizë. Me urdhër të prokurorit kujdestar publik po kryhet analiza e ADN-së për gjurmët e gjakut të gjetur në vendin e ngjarjes.
 
Në mënyrë plotësuese, prokurori publik urdhëroi të gjenden edhe xhirimet eventuale nga kamerat mbikëqyrëse të objekteve përreth. Prokuroria Themelore Publike – Shkup informoi edhe se në vazhdimësi merren në pyetje personat që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.
 
GAZMEND REXHEPI