Maqedoni
Seanca e parë parlamentare, Mançevski: do të drejtohet në gjuhën që parasheh Kushtetuta
10.05.2017 16:35
LSDM-ja paralajmëron formimin e qeverisë së re deri në fund të muajit maj. Nënkryetari i partisë, Damjan Mançevski...

LSDM-ja paralajmëron formimin e qeverisë së re deri në fund të muajit maj. Nënkryetari i partisë, Damjan Mançevski, në emisionin “Argument” në TVM2 thotë se Ivanov do të duhet ta japë menjëherë mandatin pasi që shumë probleme presin për zgjidhje si në nivel lokal por edhe pushtetin qendror. Mançevski thotë se LSDM është e gatshme.
“Ivanov do të duhet që menjëherë ta japë mandatin, nëse ka vullnet, është vetëdijesuar për gjendjen në shtet dhe nëse mendon se janë eliminuar pengesat. Ne jemi të gatshëm të flasim me të. Si parti do të mundohemi që formimi i qeverisë të ndodh sa më shpejtë, pasi që shumë probleme urgjente të qytetarëve, komunat, administrata nuk mund të presin. Duke i lënë anash interesat personale dhe partiake, mendoj se para përfundimit të majit do ta formojmë qeverinë reformatore”,- deklaroi nënkryetari i LSDM-së, Damjan Mançevski.
Mançevski i quan spekulime informacionet se është folur për ndarjen e posteve të qeverisë së re. Edhe pse nuk e cakton datën e thirrjes së seancës së parë kuvendore, nënkryetari i socialdemokratëve thotë se kjo mund të ndodh shumë shpejtë. Seanca e parë, sipas Mançevskit, do të udhëhiqet në gjuhën të cilën e parashikon Kushtetuta.
“Për mua është jologjike që deputetët mund të flasin në gjuhën e tyre, ndërkaq të mos udhëhiqet edhe seanca, ose mundet ose nuk mundet... Para së gjithash presim mandatin, se cila do të jetë zgjidhja, do të jetë në përputhje me kushtetutën dhe ligjin. Cilado zgjidhje nuk duhet të shkaktojë revoltë te asnjë deputet, pasi që do të argumentohet me Kushtetutë dhe ligj”,- u shpreh nënkryetari i LSDM-së, Damjan Mançevski.
Për ngjarjet e 27 prillit, sipas Mançevskit, fajtorë janë VMRO dhe Nikolla Gruevski, dhe të gjithë ata që i krijuan trazirat do të duhet të mbartin përgjegjësi. Zbardhja e proceseve të montuara, përfshirë “Monstrën”, sipas Mançevskit, janë obligim i qeverisë së re. Sipas tij, këto raste duhet të kthehen për rigjykim.
“Ekzistojnë shumë biseda ku ka indikacione serioze se ndoshta njerëz të cilët nuk e kanë bërë këtë janë fajësuar dhe gjykuar. Rasti duhet t’i kalojë Prokurorisë Speciale. Ne mbetemi në atë që e kemi premtuar. Jo vetëm për “Monstrën”, por për të gjitha rastet për të cilat ka indikacione se janë kryer në mënyrë kriminale, të gjitha do të zbardhen para drejtësisë. Ky është obligim i pushtetit të ri”,- theksoi nënkryetari i LSDM-së, Damjan Mançevski.
Qeveria reformatore do të angazhohet për zgjatjen e mandatit të PPS-së, do të hapë debat mbi propozimet për ndryshimet e simboleve shtetërore, ndërkaq do të stopojë projektit “Shkupi 2014” duke e vënë nën revizion, thotë Mançevski për TVM2.
MERAL ISMAILI
