“Civil” dënon thirrjet për linçim: Dënim për ata që kërcënojnë me vdekje

10.05.2017 16:47

OJQ “Civil” e dënon ashpër shprehjen e urrejtjes, thirrjen për linçim dhe dhunën ekstreme politike që haptazi manifestohen rrugëve të Maqedonisë....

OJQ “Civil” e dënon ashpër shprehjen e urrejtjes, thirrjen për linçim dhe dhunën ekstreme politike që haptazi manifestohen rrugëve të Maqedonisë.

Transparentet në të cilat implikohen kërcënime për vdekje të Zoran Zaevit dhe Radmilla Shekerinskës, të cilat u paraqitën në protestat në organizim të iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët”, më 8 maj, janë vetëm edhe një nga vargu i dëshmive për motivet, porositë dhe qëllimet e këtyre protestave. Ato porosi janë prezente që prej fillimit dhe janë në themelet e kësaj iniciative për të cilën dihet mirë se është e nisur, organizuar dhe e sponsoruar nga VMRO – DPMNE”,- thonë nga “Civil”.

Sipas tyre, pas porosive dhe slloganeve të shumta në të cilat me emërime fyese për shqiptarët bëhet thirrje për dhoma gazi, sopata dhe të ngjashme, në slloganet e reja shohim edhe një klithje të urrejtjes së skajshme dhe kërcënimeve për jetë.

“Ky është qëndrimi i organizatorëve që manifestohet në vazhdimësi. Kjo urrejtje dhe dhunë janë pjesë e sulmit të përgjakshëm të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, më 27 prill. Gjithashtu, opinioni është dëshmitar se institucionet më të thirrura, Policia dhe Prokuroria Themelore Publike, qartë tentojnë ta relativizojnë shprehjen e urrejtjes, planin e qartë për skenare të dhunshme dhe brutalitetin që pasoi. Në këtë mënyrë, këto institucione shndërrohen në mundësues dhe bashkëpunues të kësaj klike kriminele dhe fashizoide, e cila tenton të bëjë çdo gjë dhe ta hedh vendin në humnerë, vetëm e vetëm të mbrojë një grup njerëzish që janë nën hetime dhe akuza serioze të PPS-së”,- thonë nga “Civil”.

Qëndrimi i “Civil”-it është se këto janë shembuj të qartë të veprave të rënda penale, të rrezikimit të rendit dhe sigurisë në vend. Ata kërkojnë nga policia dhe prokuroria të marrin masa e t’i ndëshkojnë ata që kërcënojnë me vdekje të tjerët. “Jo hakmarrje, por kërkojmë të funksionojë shteti ligjor”,-  apelojnë nga “Civil”. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)