Maqedoni

“Erazmus plus”, mundësi për 600 studentë, praktikë në universitetet e njohura europiane

10.05.2017 17:21

1 milion e 600 mijë euro do të ndahen përmes programit “Erazmus plus” për rreth 600...

1 milion e 600 mijë euro do të ndahen përmes programit “Erazmus plus” për rreth 600 studentë të vendit që do të shkojnë për shkëmbim të praktikës në universitet e njohura europiane.
 
Autoritetet janë të kënaqur nga shfrytëzimi i këtyre mjeteve dhe konsiderojnë se ky program mundëson zhvillim më të madh profesional të studentëve të vendit njësoj si kolegët e tyre në Europë. Ata nuk kanë dyshim se ky program do t’ua hap dyert studentëve në të ardhmen.
 
“Këtë vit agjencia kombëtare do të shpërndajë 1 milion e 600 mijë euro për 19 institucione të larta arsimore, përmes të cilave do të mbështesin  596 studentë ”,- theksoi Darko Dimitrov nga  AKPEAM.
 
“Është konfirmuar fakti se ekziston një interesim i madh në mesin e subjekteve përfituese dhe po ashtu është konfirmuar se ekziston një kualitet i lartë i aplikimeve”,- u shpreh zëvendëskryeministri për çështje europiane, Arbër Ademi.
 
“Maqedonia rangohet mirë në lidhje me shfrytëzimin e mjeteve të programit “Erazmus”. Mijëra studentë veç më kanë shfrytëzuar këto beneficione dhe ky është një mesazh i fuqishëm që dërgon Maqedonia në BE për përcaktimin e saj për në Unionin Europian”,- theksoi Mauro Di Veroli nga BE.
 
Buxheti i programit europian “Erazmus Plus” për këtë vit peshon 6.25 milion euro, më i madhi deri tani. Këto mjete këtë vit janë paraparë të shpërndahen përmes tre thirrjeve publike. Deri tani Maqedonia ka arritur të shfrytëzojë gjithsej 12 milion euro përmes këtij programi. 
 
REXHEP QAMILI