Kamennos: Shkupi ka shumicë shqiptare, opozita kërkon në interpelancë Kotziasin

10.05.2017 17:57

18 deputetë të partisë opozitare greke “Demokracia e Re”...

18 deputetë të partisë opozitare greke “Demokracia e Re” kanë kërkuar interpelancë me ministrin e Jashtëm, Nikos Kotzias, në lidhje me deklaratat e bëra nga ministri i Mbrojtjes, Panos Kammenos, rreth Maqedonisë. 

Sipas deputetëve të opozitës greke, Kammenos, i cili është njëkohësisht edhe kreu i partisë aleate “Grekët e Pavarur”, ka shprehur disa pikëpamje në lidhje me zhvillimet e kohëve të fundit në Ballkan, që - siç theksojnë, - nuk janë serioze dhe konsiderohen të paqëndrueshme, pasi bien në kundërshtim me politikën e jashtme që ushtron Athina zyrtare. Deputetët konservatorë pyesin ministrin e Jashtëm nëse kabineti “Tsipras” mbështet 3 pohime të bëra në intervistën e ministrit grek të Mbrojtjes, sipas të cilit:

1. “Në Shkup është më se e qartë se shumica e popullsisë janë shqiptare”.

2. “Të mos pranohet fjala “Maqedoni” në emërtimin e ri të fqinjit verior të Greqisë”.

3. “Garanci për Perëndimin është krijimi i një harku kristiano-ortodoks në rajon”.

Ata kërkojnë nga kreu i Diplomacisë greke të tregojë se cili është pozicionimi zyrtar i qeverisë për zhvillimet në Shkup dhe nëse pikëpamjet e reja për çështjet që lidhen me Maqedoninë nga Kammenos janë baza mbi të cilat po rindërtohet politika e jashtme greke.

Konservatorët grekë theksojnë se është e nevojshme që politika e jashtme e vendit të ushtrohet me qëndrueshmëri, përgjegjësi dhe formim politik, sidomos në një kohë kur situata në Ballkan është veçanërisht e paqëndrueshme dhe kritike. (Gazmend Rexhepi, TVM2)