Botë

Kuvendi miratoi mocionin e mosbesimit, Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme

10.05.2017 18:07

Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare...

Kështu vendosi Kuvendi, duke pranuar mocionin për mosbesim të Qeverisë, të iniciuar nga opozita dhe të mbështetur edhe nga PDK, e cila deri tani ishte në koalicion qeverisës me LDK-në.
 
Pro rrëzimit të qeverisë votuan 78 deputetë, 34 ishin kundër dhe 3 abstenime. Shefja e grupit parlamentar të “Nismës për Kosovën”, Valdete Bajrami, e cila paraqiti mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, tha se tashmë është e qartë që kjo Qeveri ka dështuar dhe në mesin e dështimeve përmendi: “Marrëveshja e nënshkruar në Bruksel me Serbinë, konkretisht Marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe, doli të jetë në kundërshtim me frymën kushtetuese në 23 nene. Demarkacioni me Malin e Zi, mosfunksionimi i institucioneve, ngecja në liberalizim, kapja e sistemit të drejtësisë, moszhvillimi ekonomik dhe mungesa e investimeve, degradimi i sistemit të arsimit dhe shkatërrimi total i sistemit të drejtësisë, ikja e mbi 200 mijë qytetarëve nga Kosova dhe ikja e kuadrove që po vazhdon edhe sot...”,- u shpreh Valdete Bajrami nga “Nisma”.
 
Kritika për Qeverinë “Mustafa” kishte edhe nga partia më e madhe në opozitë Vetëvendosje.
 
“Kjo ishte qeveri e klanit pronto, që të punëson pa konkurruar, qeveri e negociatave me Serbinë dhe kompromiseve të njëpasnjëshme, qeveri e “zaednicës”, qeveri e dhënies së territorit, qeveri e shkatërrimit të shëndetësisë publike dhe pushtet i stendave, qeveri që edhe krundet i shiste për miell, qeveri që dhunon demokracinë, pushtet që i mbyt në burg aktivistët politikë, pastaj i mbyt edhe dëshmitarët e vet”,- deklaroi Glauk Konjufca-VV.
 
Por, kreu i derisotëm i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, njëherit edhe kryetar i LDK-së, mohoi kritikat ndaj kabinetit të tij qeveritar dhe vlerësoi se mocioni është një pamflet politik pa asnjë bazë argumentuese.
 
“Vlerësoj se peticioni për pasojë destabilizimin e vendit përmes krijimit të mosbesimit në institucione, përmes vakuumit institucional dhe ka për qëllim për fshehjen e adresave të përgjegjësve për aferat e dëmshme korruptive dhe dëmet shumëmilionëshe të parasë publike që i janë shkaktuar vendit”,- theksoi kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
 
Fundi i Qeverisë “Mustafa” është lajm i mirë për Kosovën, vlerësoi pas votimit të mocionit kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.                                                                                                                               
“Koalicioni qeverisës, ashtu si kishte filluar, pra që kishte filluar me marre, me marre edhe përfundoi, me turpin e vet të mashtrimit dhe tradhtisë së ndërsjellë dhe ndaj elektoratit”,- tha Ramush Haradinaj - AAK.
 
Pas votimit të mocionit për rrëzimin e Qeverisë “Mustafa”, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpërndarë Kuvendin e Kosovës. Ai, përmes dekretit i cili ka hyrë menjëherë në fuqi, ka shpërndarë Kuvendin duke e çuar përfundimisht Kosovën në zgjedhje të jashtëzakonshme. 
 
GYLTENE SINANI